Hetimet për ab*zimin e 13-vjeç*res, arrestohen dy persona, Prokuroria kërkon identifikimin e të dyshuarve të tjerë

Rasti i rëndë i abuzimit seksual ndaj 13-vjeçares amerikano-shqiptare në Shkodër vijon të zbardhet, ndërsa Policia ka njoftuar ndalimin e dy personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Bëhet fjalë për një 46-vjeçar nga Tirana dhe një 49-vjeçar nga Fieri, ndaj të cilëve Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas Policisë, e mitura ishte larguar nga banesa dhe u gjet pas disa ditësh kërkimesh në Tiranë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për trafikim dhe abuzim seksual me të miturën.
“DVP Shkodër. Ndalohen, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Fier, dy shtetas të dyshuar për trafikim të të miturve dhe abuzim seksual.
Pas kallëzimit të familjarëve se një 13-vjeçare ishte larguar nga banesa, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër nisën kërkimet për gjetjen e saj. Kërkimet u zhvilluan në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë.
Në kuadër të hetimeve për këtë rast, shërbimet e DVP Tiranë ndaluan shtetasin A. Q., 46 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shërbimet e DVP Fier ndaluan shtetasin E. V., 49 vjeç, banues në Fier.
Gjykata caktoi ndaj të dy shtetasve masën e sigurimit personal “Arrest në burg”. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë”, shkruan Policia.


