Grabitje spektakolare kibernetike, hakerat sulmojnë bankën franceze dhe marrin 100 milionë dollarë

Bota

Grabitje spektakolare kibernetike, hakerat sulmojnë bankën franceze
Banka franceze “Crédit Mutuel Arkéa” është bërë objekt i një sulmi kibernetik, përmes të cilit janë kryer transferta të paligjshme në vlerën e rreth 100 milionë eurove (112 milionë dollarë).

Banka rajonale franceze bëri të ditur se sulmuesit arritën të hynin në llogaritë e institucionit dhe të transferonin shuma të konsiderueshme parash drejt bankave të tjera.

Sipas saj, sulmi është neutralizuar dhe llogaritë e klientëve nuk janë prekur, ndaj ata nuk kanë pësuar humbje financiare. Sipas bankës, paratë e transferuara janë konvertuar më pas në kriptomonedha përmes platformave të specializuara.

Një pjesë e fondeve është bllokuar, ndërsa po vijojnë përpjekjet për rikuperimin e pjesës tjetër.

Drejtuesit e institucionit përjashtuan mundësinë që transfertat të jenë shkaktuar nga gabime njerëzore, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm të sofistikuar nga jashtë.

Banka nuk dha hollësi mbi mënyrën se si u realizua sulmi dhe as për identitetin e personave apo grupit që mund të qëndrojë pas tij.

Prokuroria e Parisit konfirmoi për AFP-në se ka nisur një hetim zyrtar për ngjarjen, e cila po trajtohet si sulm ndaj një sistemi të automatizuar të përpunimit të të dhënave, i kryer nga një grup i organizuar.

Gazeta franceze “Le Télégramme” raportoi fillimisht për humbje që mund të arrinin në 133 milionë dollarë, por banka nuk e konfirmoi këtë shifër.

Ajo pranoi megjithatë përmasat e konsiderueshme të dëmit, duke theksuar se vlera përfundimtare është ende duke u vlerësuar.

Institucioni siguroi se humbjet nuk përbëjnë kërcënim për qëndrueshmërinë e tij financiare.

Në gjysmën e parë të vitit, banka kishte regjistruar një fitim neto prej 230 milionë eurosh.

Sulmi u bë publik fillimisht nga “ZachXBT”, një hetues i pavarur që merret me gjurmimin e transaksioneve në teknologjinë “blockchain”, sistemin ku regjistrohen transaksionet e kriptomonedhave.

Sipas tij, fondet e vjedhura ishin shpërndarë përmes disa llogarive të hapura në platformat e këmbimit të kriptomonedhave.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion