Shpërthimi me trit*l në Elbasan, makina i përkiste një punonjëseje të Bashkisë, arrestohet autori

Policia e Elbasanit ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të datës 5 nëntor 2026, në lagjen “28 Nëntori”, ku një automjet në pronësi të një punonjëseje të Bashkisë Elbasan u përfshi nga flakët pas shpërthimit të një sasie lënde plasëse.
Sipas informacionit zyrtar të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 02:00, kur në njërën prej gomave të para të automjetit tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetases me inicialet A. D., ka ndodhur një shpërthim i shkaktuar nga një sasi lënde plasëse.
Si pasojë e shpërthimit, automjeti është përfshirë nga flakët, të cilat më pas janë përhapur duke shkaktuar dëmtime edhe në një automjet tjetër tip “Benz”, i cili ishte i parkuar në afërsi.
Pas ngjarjes, grupi hetimor ka nisur veprimet për dokumentimin e plotë të saj, sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Pas hetimeve dhe veprimeve të kryera, Policia njofton se ka arritur të zbardhë plotësisht dinamikën e ngjarjes, të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar.
Zhvillimet e mëtejshme lidhur me identitetin e personit të arrestuar, motivet dhe rrethanat që e çuan atë drejt këtij veprimi pritet të bëhen të ditura përmes informacionit të plotë zyrtar të Policisë.


