Gjoba, kufizime dhe ndjekje penale, BE ashpërson rregullat për kthimin e emigrantëve

Bota

Gjoba, kufizime dhe ndjekje penale, BE ashpërson rregullat për kthimin
Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian ranë dakord për rregulla më të ashpra për kthimin e emigrantëve pa të drejtë qëndrimi, gjatë takimit të Këshillit të Çështjeve të Brendshme të zhvilluar më 1 tetor në Luksemburg.

Sipas rregullave të reja, personat që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE do të duhet të largohen dhe të bashkëpunojnë me autoritetet. Në rast refuzimi, ata mund të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë uljen e përfitimeve, gjoba ose ndjekje penale.

Një Urdhër i ri Evropian për Kthimin do t’u mundësojë vendeve anëtare të njohin vendimet e kthimit të njëri-tjetrit. Rregullat parashikojnë gjithashtu mundësinë e ndalimeve të hyrjes për periudha të pacaktuara për personat që konsiderohen rrezik për sigurinë, si dhe zgjatjen e ndalimit përtej 24 muajve.

BE-ja do të lejojë gjithashtu krijimin e qendrave të kthimit jashtë territorit të unionit. Rregullat nuk do të zbatohen për të miturit e pashoqëruar dhe pritet të hyjnë në fuqi në javët e ardhshme.

Masa e re vjen në një kohë kur, sipas Komisionerit Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, mbërritjet e parregullta në BE kanë rënë me 55% gjatë dy viteve të fundit. Megjithatë, kthimet efektive mbeten dukshëm më të ulëta.

Në vitin 2025, autoritetet e BE-së urdhëruan rreth 492 mijë persona të largoheshin nga territori i unionit, ndërsa vetëm rreth 135 mijë prej tyre u kthyen.

Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, tha se qendra e parë e kthimit mund të hapet në gjysmën e dytë të vitit 2027 në një vend afrikan, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Ndërkohë, Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka shprehur shqetësime lidhur me mungesën e rregullave të qarta për monitorimin, të drejtën e apelimit dhe kushtet në qendrat e pritjes jashtë BE-së./

ME TE LEXUARAT