Rama jep lajmin: Do dyfishohen pensionet, ja kur ligji hyn në fuqi

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën studentore dhe aktet e dhunës të regjistruara gjatë tubimeve në Tiranë, duke u ndalur te dëmet e shkaktuara. Ai i cilësoi këto akte si një formë “anti-njerëzillëku”, që sipas tij imponon vullnetin ndaj shumicës së qytetarëve që duan të jetojnë të qetë.
Gjatë konferencës për mediat, Rama foli edhe për buxhetin e vitit 2027, rritjen e pensioneve dhe masat që qeveria synon të ndërmarrë për lehtësimin e familjeve përballë kostove të jetesës.
Kryeministri deklaroi se rritja ekonomike i ka krijuar mundësinë qeverisë për të dyfishuar rritjen e pensioneve në vitet pasardhëse. Ai tha se është i vetëdijshëm për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe naftës.
Rama njoftoi gjithashtu se buxheti i vitit 2027 do t’i përcillet Kuvendit dhe do të kalojë për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove. Sipas tij, edhe borxhi publik ka zbritur në një nivel historikisht të ulët.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Ekonomia na e ka dhënë mundësinë, rritja e pensioneve të dyfishohet në çdo vit pasardhës. Rritja e këtij viti do të jetë e dyfishuar, e kam thënë për ata që e bënë madhështore protestën e Flamingos, jam i vetëdijshëm nga rritja e kostos së ushqimeve apo e naftës.
Vetëm tre ditë më parë ju thashë se do t’ju bëja me dije masat e reja për lehtësimin e familjeve të zakonshme. Sot i përcjellim Kuvendit buxhetin 2027, kalon pragun e 10 mld eurove për herë të parë në histori. Borxhi publik ka rënë në një prag të poshtëm historik po ashtu. E thonë të gjitha shifrat dhe faktet se ekonomia është ndër më dinamiket në rajon. Prekja e pragut prej 30 mld eur të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, e ilustron panoramën optimiste.
Në buxhetin e 2027, kemi planifikuar një sërë masash ambicioze. Mesazhi është i qartë: Më shumë biznese, më shumë kompani, investime, njerëz të pasur në Shqipëri. Ndaj mbetemi partizanë të taksimit të ndershëm.”


