Ekzekutimi i gruas së dënuar për vrasje ndalet pak para se të kryhej, gjykata ndërhyn në momentet e fundit

Ekzekutimi i Christa Pike, e dënuar me vdekje për vrasjen e një 19-vjeçareje, është pezulluar pak më shumë se një orë përpara se dënimi të zbatohej në Tennessee të Shteteve të Bashkuara.
Pike, 50 vjeçe, ndodhet në pritje të ekzekutimit që prej vitit 1996, kur u shpall fajtore dhe u dënua me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer.
Gjykatësit e Gjykatës së Apelit të Qarkut të Gjashtë vendosën të mërkurën të ndalonin përkohësisht ekzekutimin, duke argumentuar se u nevojitet më shumë kohë për të shqyrtuar pretendimet e ngritura në çështjen e saj. Nuk është bërë e qartë se sa do të zgjasë pezullimi.
Vendimi erdhi pasi Gjykata e Lartë kishte refuzuar më parë një kërkesë për shtyrje, ndërsa guvernatori i Tennessee nuk pranoi kërkesën e Pike për falje.
Avokatët e saj kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi metodën e injeksionit vdekjeprurës të përdorur në Tennessee, duke pretenduar se ajo mund të shkaktojë vuajtje përtej asaj që nevojitet për zbatimin e dënimit.
Mbrojtja ka rikthyer gjithashtu në vëmendje historinë e Pike si viktimë e abuzimit seksual, braktisjes dhe neglizhencës gjatë fëmijërisë. Sipas avokatëve, për vite me radhë shteti kishte argumentuar se ajo kishte gënjyer për abuzimin, ndërsa në një seancë të fundit deklaroi se nuk e kundërshtonte faktin që Pike kishte përjetuar abuzim seksual dhe përdhunim.
Pike ishte 18 vjeçe kur, së bashku me të dashurin e saj të atëhershëm, Tadaryl Shipp, dhunuan, torturuan dhe vranë 19-vjeçaren Colleen Slemmer në vitin 1995. Viktima u gjet me një pentagram të gdhendur në kraharor, ndërsa Pike ka mohuar se ishte ajo që e kishte bërë shenjën.
Një vit më vonë Pike u dënua me vdekje, ndërsa Shipp, i cili ishte 17 vjeç në kohën e krimit, mori dënim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht.


