Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda e Vllaznisë (EMRI)

Ismet Hoxha është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare pas një infarkti. Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Partizanit la pas një karrierë të gjatë si lojtar, trajner dhe drejtues, ndërsa në vitin 2022 u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”. Futbolli shkodran ka humbur një prej emrave që lidhi pjesën më të madhe të jetës me Vllazninë. I lindur në Shkodër më 23 mars 1948, Hoxha hodhi hapat e parë në futboll me ekipet e moshave të Vllaznisë.
Më pas kaloi te Partizani, ku në vitin 1968 fitoi Kupën e Republikës. Në atë edicion ai shënoi 7 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i kompeticionit. Dy vite më vonë u kthye në Shkodër dhe veshi përsëri fanellën kuqeblu. Me Vllazninë luajti deri në vitin 1977, duke fituar dy tituj kampionë dhe një Kupë Republike. Gjatë kësaj periudhe u bë një nga sulmuesit kryesorë të skuadrës shkodrane.
Karriera e tij e çoi edhe te Kombëtarja shqiptare, me të cilën regjistroi tri ndeshje. Për disa vite Hoxha mbajti gjithashtu shiritin e kapitenit të ekipit Shpresa, që u shpall dy herë nënkampion i Ballkanit. Por largimi nga fusha nuk e largoi nga Vllaznia. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Hoxha punoi me ekipet e moshave të klubit.

Në vitin 2000 drejtoi ekipin e të rinjve drejt titullit kampion, ndërsa gjatë punës së tij kontribuoi në formimin e futbollistëve që më pas kaluan te skuadra e parë e Vllaznisë dhe te ekipet kombëtare. Hoxha mbajti edhe detyra drejtuese pranë klubit shkodran, duke e shtrirë aktivitetin e tij te Vllaznia nga fusha e lojës te pankina dhe administrimi i klubit.
Në vitin 2022, Presidenti i Republikës e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”, si vlerësim për kontributin e tij në futboll.
Me vdekjen e Ismet Hoxhës mbyllet një rrugëtim që nisi tek ekipet e moshave të Vllaznisë dhe vazhdoi për dekada me klubin shkodran, fillimisht si futbollist, më pas si trajner dhe drejtues.


