Eksperti mjeko-ligjor: Sipas asaj që pashë në dosje, besoj se Epstein e mbytën dhe më pas e varën

Bota

Eksperti mjeko-ligjor: Sipas asaj që pashë në dosje, besoj se

Një ekspert mjeko-ligjor ka deklaruar se, sipas tij, vdekja në burg e pedofilit Jeffery Epstein ishte pasojë e një vrasjeje, e jo e vetëvrasjes.

Në një prononcim për emisionin “Newsnight” të BBC-së, profesori Michael Freeman u shpreh se, pasi shqyrtoi dosjen e mjekut ligjor të qytetit të Nju Jorkut, ai beson se Epstein është mbytur, me shumë gjasa nga pas.

Mjeku ligjor që kreu autopsinë arriti në përfundimin, në vitin 2019, se dëmtimet e Epstein-it përputheshin me një vetëvrasje dhe se nuk kishte asnjë shenjë të plagëve mbrojtëse, të cilat do të priteshin nëse vdekja e tij do të ishte vrasje.

Epstein u gjet i vdekur në burg, në Nju Jork, më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza që lidheshin me trafikimin seksual.

Dr. Barbara Sampson, mjekja kryesore ligjore në kohën e autopsisë së Epstein-it, e cila përcaktoi se vdekja e tij ishte vetëvrasje, është shprehur më parë: “Unë qëndroj plotësisht pas përfundimit tonë lidhur me shkakun dhe mënyrën e vdekjes së z. Epstein”.

Freeman ka shërbyer si ekspert për përcaktimin e shkakut të vdekjes për prokurorë të ndryshëm në SHBA, në raste të vdekjeve gjatë kohës që personat ndodheshin nën kujdesin e policisë, përfshirë këtu edhe rastin e George Floyd-it në Minesota.

Ai i publikoi gjetjet e tij, si dhe dokumentet nga dosja e mjekut ligjor të qytetit të Nju Jorkut, pasi i prezantoi ato në “University College London” mbrëmjen e së hënës.

Freeman, i cili nuk e pa trupin, i bazoi përfundimet e tij në dosjet dhe fotografitë nga raporti i mjekut ligjor, të vëna në dispozicion nga vëllai i Epstein-it, Mark Epstein, i cili ka këmbëngulur gjithmonë se vëllai i tij është vrarë.

Freeman deklaroi se analiza e tij është e pavarur dhe se ai nuk është paguar nga Mark Epstein.

Ai i tha BBC-së se, sipas tij, ka shenja që tregojnë se Epstein-i është sulmuar; ndër to përfshihen një hemorragji e thellë në shpatullën e majtë, si dhe dëmtime që duket se përputhen me goditje në fytyrë.

Sipas Freeman-it, provat sugjerojnë se ka shumë gjasa që viktima të jetë mbytur me një lidhëse, e cila më pas është përdorur ndoshta edhe për ta varur trupin në krevatin marinë.

Ai vuri në dukje se, mbi gjurmën e lënë nga lidhësja në qafën e Epstein-it, duket se ka edhe shenja thonjsh, gjë që “përputhet me skenarin e mbytjes, veçanërisht nga pas, si dhe me përpjekjen e viktimës për ta hequr lidhësen nga qafa”.

Ai shtoi: “Dëmtimet dhe mënyra se si u gjet trupi nuk përputhen me njëra-tjetrën. Në këtë rast, mbetet vetëm një shpjegim: vdekja ka ardhur si pasojë e një vrasjeje.”

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion