E rëndë në Prizren, vd'es 26-vjeçarja, humb jetën teksa merrej në pyetje nga antidr'oga

Një 26-vjeçare ka ndërruar jetë në Prizren, pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë kohës kur po merrej në pyetje nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 16 nëntor.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë intervistimit, e reja, e identifikuar me inicialet B.H., ka shfaqur probleme shëndetësore. Ekipi i emergjencës i ka dhënë ndihmën e parë dhe më pas e ka transportuar drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku ajo ka ndërruar jetë pak minuta pas mbërritjes.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 01:30. Pas njoftimit, hetuesit policorë dhe njësitë e forenzikës kanë dalë në vendngjarje, ku kanë kryer ekzaminimet dhe dokumentimin e rastit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 26-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa deri më tani nuk është përcaktuar shkaku i ndarjes nga jeta të 26-vjeçares.


