Djali 19-vjeçar i aleatit të Putinit merr pasaportën serbe, tashmë i hapet rruga drejt Schengenit

Djali i udhëheqësit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, një prej aleatëve më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin, ka marrë shtetësinë serbe duke përfituar kështu mundësinë për të udhëtuar pa viza në zonën Schengen, ndërkohë që babai i tij prej vitesh është nën sanksionet perëndimore.
Një investigim i Fondacionit Kundër Korrupsionit (FBK), i themeluar nga opozitari i ndjerë rus Alexei Navalny, zbulon se 19-vjeçari Ali Kadyrov e ndryshoi zyrtarisht mbiemrin në Musayev në janar të vitit 2025 dhe vetëm gjashtë muaj më vonë mori nënshtetësinë serbe.
Ai përfitoi shtetësinë përmes një procedure të posaçme që zbatohet për shtetasit e huaj që konsiderohet se kanë dhënë një kontribut të veçantë për Serbinë. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë kontributi ka dhënë 19-vjeçari për vendin.
Sipas investigimit, pas ndryshimit të mbiemrit, djali i Kadyrovit ka kryer më shumë se 100 udhëtime jashtë vendit, kryesisht drejt Dubait. Edhe anëtarë të tjerë të familjes së udhëheqësit çeçen përdorin mbiemrin Musayev dhe udhëtojnë me avionin privat të familjes drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, Turqisë dhe Maldiveve.
Ndryshe nga pasaporta ruse, ajo serbe u mundëson mbajtësve të saj të udhëtojnë pa viza për qëndrime afatshkurtra në vendet e zonës Schengen.
Vendimi për dhënien e shtetësisë është nënshkruar më 10 korrik 2025 nga kryeministri i atëhershëm serb, Gjuro Macut, dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare të Serbisë. Hetuesit zbuluan se data dhe vendlindja e personit të regjistruar me emrin Ali Musayev përputheshin me ato të djalit të Kadyrovit, i cili sot drejton Federatën e Boksit të Çeçenisë.
Fondacioni u ka kërkuar autoriteteve serbe t'i heqin shtetësinë djalit të Kadyrovit, ndërsa për rastin ka njoftuar edhe autoritetet e Bashkimit Europian.
Nga lufta kundër Rusisë te besnikëria ndaj Putinit
Ramzan Kadyrov drejton që prej vitit 2007 Çeçeninë, një republikë me shumicë myslimane në jug të Rusisë, e cila pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik u përfshi në dy luftëra me Moskën.
Kadyrov dhe babai i tij fillimisht luftuan në krah të separatistëve çeçenë, por gjatë luftës së dytë kaluan në anën e Moskës. Sot, Kadyrov është ndër mbështetësit më të fortë të Putinit dhe ka dërguar mijëra luftëtarë çeçenë në Ukrainë.
Udhëheqësi çeçen është përfshirë në listat e sanksioneve të SHBA-së dhe Bashkimit Europian. Ai është akuzuar prej vitesh për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë tortura, rrëmbime dhe vrasje jashtëgjyqësore.
Serbia i ka dhënë pasaportë edhe nipit të Kadyrovit
Rasti i 19-vjeçarit nuk është i vetmi. Në prill të vitit 2026, autoritetet serbe i dhanë shtetësinë edhe Jakub Zakrievit, nipit të Ramzan Kadyrovit, ish-ministër i Bujqësisë së Çeçenisë, i cili është nën sanksionet amerikane dhe britanike. Qeveria serbe e anuloi vendimin vetëm katër ditë më vonë, pasi çështja u bë publike.
Serbia, ndonëse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Sipas një investigimi të Radios Europa e Lirë, vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2026, Beogradi u dha nënshtetësinë 44 shtetasve rusë me argumentin e interesit kombëtar.


