Dyfishohet bonusi mujor për pensionistët nga janari 2027, ja sa do të përfitojë çdo kategori

Afro 20 miliardë lekë apo 220 milionë euro do të shpërndahen për pensionistët në formë bonusi mujor, duke filluar nga Janari 2027. Shuma e parave që do të marrin qytetarët që gëzojnë pension në formën e bonusit do të jetë e dyfishuar në raport me atë që përfitojnë gjatë vitit 2026.
Por sa do të përfitojë secila kategori? Konkretisht bonusi mujor do të jetë në masën 3,600 lekë në muaj për pensionistët që aktualisht gëzojnë pension të plotë urban dhe që pensioni i tyre është deri në 40.000 lekë në muaj.
2,000 lekë në muaj do të marrin ata që gëzojnë pensione fshati dhe që nuk kalon nivelin e 18 mijë lekëve në muaj.
1,600 lekë në muaj do të jepet për pensionistët me pension të pjesshëm urban, për të gjithë ata që nuk kalojnë pragun prej 22 mijë lekësh në muaj.
1,400 lekë në muaj për qytetarët që përfitojnë pensione familjare me një prag prej 18 mijë lekë në muaj dhe 1,200 lekë në muaj për pensionistët e invaliditetit të cilët nuk marrin më shumë se 30 mijë lekë në muaj.
Kategoritë që tejkalojnë këto tavane, përjashtohen nga e drejta për të përfituar këtë bonus.
Ndërkohë përveç bonusit mujor, qeveria parashikon edhe një fond prej 4 miliardë lekësh për indeksimin e pensioneve, i cili do të nisë të zbatohet nga muaji prill, apo tre muaj më herët nga sa ishte parashikuar.
Këto masa synojnë rritjen e të ardhurave të pensionistëve dhe përmirësimin e mbështetjes financiare për kategoritë e ndryshme të tyre./scan.tv


