Dy herë në burg dhe dy herë i pafajshëm, çfarë përgjegjësie mbajnë magjistratët që i shkatërruan jetën?!

Një postulat i njohur i njerëzve të drejtësisë thotë se më mirë të jenë 100 të fajshëm jashtë, se 1 i pafajshëm brenda qelisë.
Kur shtrohet kjo tezë sot në debatin për drejtësinë e reformuar, duhen pasur parasysh edhe histori si kjo e këtij qytetari, i cili ka bërë burg dy herë dhe më pas, në të dyja rastet, ka rezultuar i pafajshëm…
Taulant Boçi, personazhi i kësaj interviste, ka vuajtur dy burgime të padrejta dhe në të dyja rastet ka fituar pafajësinë. Një situatë absurde që tregon shpeshherë edhe realitetin e vrazhdë me të cilin përballen qytetarët me ngurtësinë e gjykatave. Për shkak të vuajtjes familjare dhe pasojave psikologjike te fëmijët e tij të mitur, imazhin e Taulantit po e nxjerrim të censuruar.
“Unë u dënova me prova të rreme dhe vazhdova seancat gjyqësore derisa mora vendim në apel. U dënova 5 vite e gjysmë, por fillimisht nuk m’u mor parasysh asnjë lloj gjëje”.
Këtu nis kalvari i vuajtjeve të Taulantit, që ka bërë më shumë se 4 vite burg. Një humbje e madhe kohe që kalon pas hekurave, larg fëmijëve, bashkëshortes dhe pa mundësi për të punuar e për t’u bërë krah.
“Periudha e burgut është si të jesh ditën për diell duke ecur dhe më pas bie shi. Të ndryshon gjithçka në jetë. Nuk je më ai që ke qenë. Në burg ke njerëz shumë të mirë dhe të këqij. Ata që janë të këqij jashtë janë të këqij edhe brenda. Ata që janë të fortë shpirtërisht mundohen të mbijetojnë, ata që janë të dobët tjetërsohen në burg. Vuajtjet që bën atje brenda kanë kosto shumë të madhe për familjen, mund të jesh me fëmijë. Nuk je pranë familjes”, u shpreh Taulant Boçi, denoncues.
Ironia e fatit e deshi që në momentin që Gjykata e Lartë ta rikthente për rigjykim çështjen, Taulanti të kishte dalë nga burgu. Pra, drejtësia po jepte një vendim që nuk kishte më asnjë vlerë. Taulantit iu grabitën 4 vite nga jeta dhe për këtë askush nuk mbajti përgjegjësi!
“Kur më erdhi radha për të shkuar në Gjykatë të Lartë, që pranoi gjykimin tim, unë e kisha mbyllur burgun. Gjyqtarët dhe ekspertët vërtetuan vërtet që nuk kisha faj dhe për atë mora pafajësinë”, u shpreh Taulant Boçi, denoncues.
Ndërkohë, pavarësisht dënimit të gjatë dhe të padrejtë, dëmshpërblimi që ka fituar Taulanti ishte qesharak. Llogaritjet e ditëve pas hekurave u vlerësuan më pak se një ditë pune.
“Nuk është se më ka vlejtur dëmshpërblimi, sepse mua nuk më kthehet asgjë pas nga dëmshpërblimi që mund të më japë shteti. Shteti më ka vlerësuar me një çmim qesharak prej 10 mijë lekësh të vjetra. A mund ta mbaj dot familjen me 10 mijë lekë të vjetra unë? Se jam kryefamiljar!”, u shpreh Taulant Boçi, denoncues.
Historia e Taulant Boçit është edhe më e dhimbshme se kaq, pasi ai ndalohet sërish nga ana e institucioneve të drejtësisë, me anë të një informacioni të rremë. Boçi akuzohet se në makinën e mbushur me rigon kishte hashash.
“Më mbajtën 1 vit paraburgim. Më pas prokurorja vendosi pushimin e çështjes. Të njëjtin vendim dha edhe Gjykata. Tani i kam hedhur për dëmshpërblim, besoj do të marr ndonjë 10 mijë lekë në ditë sërish”, u shpreh Taulant Boçi, denoncues./TCH


