“Dua të shoh Jezusin”, pasagjerja tenton të hapë derën e avionit në mes të fluturimit

Një fluturim i kompanisë amerikane American Airlines, me destinacion Çikagon, u detyrua të devijonte drejt Phoenix, në Arizona, pasi një pasagjer shkaktoi panik në bord duke tentuar të manipulonte derën e avionit gjatë fluturimit. Situata u bë edhe më dramatike kur burri refuzoi urdhrat e ekuipazhit dhe u desh ndërhyrja e pasagjerëve për ta neutralizuar.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, më 25 nëntor, në bordin e fluturimit 1494, i cili ishte nisur nga San Diego drejt aeroportit ndërkombëtar O’Hare të Çikagos.
Sipas policisë së Phoenix, rreth një orë pas nisjes, ndërsa avioni po fluturonte pranë kufirit mes Kalifornisë dhe Arizonës, burri u ngrit nga vendi dhe u drejtua drejt pjesës së përparme të kabinës. Ai nuk iu bind disa herë udhëzimeve të ekuipazhit për t'u kthyer në vendin e tij dhe më pas tentoi të manipulonte njërën prej dyerve të daljes së avionit.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, situata u përshkallëzua shpejt. Disa prej tyre u ngritën për të ndihmuar stafin e avionit, ndërsa njëri prej dëshmitarëve tregoi se dëgjoi një stjuardesë që bërtiste për t'i larguar njerëzit nga dera.
Pasagjeri Hunter Glegory, i cili ndodhej në avion, tregoi se burri bërtiste: “Dua të shoh Jezusin, më nxirrni nga ky avion!”, ndërsa përpiqej të hapte dyert anësore dhe atë kryesore. Sipas dëshmitarëve, stjuardët dhe disa pasagjerë arritën ta rrëzonin përtokë dhe ta mbanin nën kontroll. Pamjet e regjistruara me telefona celularë tregojnë se atij iu lidhën duart me lidhëse plastike dhe u përdor edhe shirit ngjitës për ta penguar të lëvizte.
Një prej dëshmitarëve tregoi gjithashtu se një stjuardesë përdori karrocën e pijeve për të penguar përhapjen e përleshjes drejt pjesës tjetër të kabinës. Pasagjeri vazhdoi të rezistonte deri në momentin kur avioni mbërriti në Phoenix.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin Phoenix Sky Harbor rreth orës 01:00 të mëngjesit. Burri kishte pësuar një dëmtim të lehtë dhe u transportua në spital për t'iu nënshtruar kontrolleve mjekësore. Asnjë pasagjer apo anëtar i ekuipazhit nuk raportoi lëndime.
Fillimisht, policia e Phoenix bëri të ditur se burri nuk ishte arrestuar në momentin kur u largua nga avioni, por se FBI ishte njoftuar për ngjarjen. Megjithatë në përditësimin e mëvonshëm, FBI konfirmoi se ai ishte marrë në paraburgim pasi ishte dërguar në spital.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetin e tij dhe as arsyen që e shtyu të ndërmerrte këtë veprim. FBI po merr në pyetje personat e përfshirë dhe do të konsultohet me Prokurorinë Federale të Arizonës për të përcaktuar nëse do të ngrihen akuza penale ndaj tij.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur gjithashtu hetimet për incidentin.
Pas largimit të pasagjerit dhe përfundimit të procedurave në aeroport, fluturimi 1494 rifilloi udhëtimin drejt Çikagos, ku pasagjerët mbërritën më vonë gjatë së njëjtës ditë.

