Kryebashkiaku i Beogradit akuzohet për dhunë ndaj këshilltares së opozitës! Ja sa vite burg rrezikon Aleksandar Šapić!

Drejtësia serbe ka ngritur akuza ndaj kryebashkiakut nacionalist të Beogradit, Aleksandar Šapić, për sulmin ndaj një këshilltareje bashkiake të opozitës në shtator, duke i shkaktuar asaj dëmtime të rënda trupore.
Šapić, një nga figurat e njohura të Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila ishte në pushtet deri në humbjen në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, akuzohet se ka goditur me grusht në fytyrë këshilltaren bashkiake Tatjana Mićić.
Lëvizja opozitare “Kreni-Promeni”, pjesë e së cilës është Mićić, e akuzoi Šapić se kishte sulmuar atë dhe bashkëshortin e saj mbrëmjen e 28 shtatorit, në një periferi të Beogradit. Lëvizja publikoi në internet edhe një video të incidentit, si dhe pamje të dëmtimeve në fytyrën e gruas.
I marrë në pyetje nga policia, kryebashkiaku mohoi se kishte sulmuar këshilltaren, duke pranuar vetëm se kishte pasur një debat të ashpër dhe një përleshje fizike me bashkëshortin e saj.
Prokuroria deklaroi se, përpara ngritjes së akuzave, kishte marrë në pyetje dëshmitarë, kishte shqyrtuar pamjet filmike dhe kishte konsultuar dokumentacionin mjekësor. Partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut, por ai e ka refuzuar këtë kërkesë.
SNS, e cila qeverisi Serbinë për 14 vjet, humbi pushtetin në vend pas fitores së thellë të lëvizjes së drejtuar nga studentët në zgjedhjet parlamentare të tetorit. Megjithatë, partia vijon të kontrollojë Bashkinë e Beogradit.


