Dhjetëra doza kok’ainë gati për shitje afër shkollave, e pëson i riu në Tiranë

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të tentativës për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave. Në prangat e “bluve” ka rënë një 26-vjeçar nga Elbasani. Sakaq, policia ka sekuestruar një sasi kokainë, e ndarë në dhjetëra doza, si dhe një thikë.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. M., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit iu gjetën dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 26-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte ndarë në doza, me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj në zona të ndryshme të kryeqytetit, si dhe në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një mjet prerës (thikë)”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.


