“The Times”: Shqipëria, destinacion ideal për pushime autentike e aventura në natyrë

E përditshmja britanike “The Times” ka botuar një artikull nga gazetarja Laura Sanders, e cila përshkruan një udhëtim shtatëditor në jug të Shqipërisë si një përvojë unike dhe të paharrueshme.
Në reportazhin e saj, ajo vlerëson kontrastin mes plazheve të qeta të Rivierës Shqiptare dhe thellësisë së vendit, ku zbuloi fshatra të paprekur, lumenj të egër dhe peizazhe spektakolare.
Udhëtimi nisi në Qeparo, ku grupi prej tetë britanikësh shijoi plazhet me guralecë dhe ushqimin tradicional. Më pas, eksploruan Gjirokastrën, qytet i mbrojtur nga UNESCO, me kalanë e saj të shekullit XIII dhe rrugicat me kalldrëm që mbajnë gjurmët e historisë.
Më tej, grupi përshkoi shtigjet malore drejt fshatit Hoshtevë në Zagori dhe qëndroi në një shtëpi fshati mbi Luginën e Vjosës, ku përjetuan rafting në një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës.
Aventura përfundoi pranë Liqenit të Ohrit, në fshatin Lin dhe Pogradec, duke përshkuar zonën me biçikletë pranë një prej liqeneve më të vjetër e të mbrojtur nga UNESCO.
Artikulli e rekomandon Shqipërinë si një destinacion të përsosur për ata që kërkojnë natyrë të paprekur, trashëgimi kulturore dhe pushime larg zhurmës së zakonshme turistike.

