Senati amerikan hap rrugën për emërimin e Todd Blanche si Prokuror i Përgjithshëm, ish-avokati i Trump merr miratimin

Komisioni i Çështjeve Gjyqësore në Senatin amerikan miratoi kandidaturën e Todd Blanche, ish-avokatit personal të presidentit Donald Trump, për të marrë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, duke i hapur rrugën votimit përfundimtar të emërimit të tij nga Senati.
Blanche aktualisht ushtron përkohësisht detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm pas shkarkimit të Pam Bondi në muajin prill. Kandidatura e tij u miratua nga komisioni me 12 vota pro dhe 10 kundër.
Dy senatorët republikanë që kishin shprehur rezerva, John Cornyn dhe Tom Tillis, votuan në favor të emërimit të tij.
Më herët, ata kishin kërkuar garanci me shkrim se administrata kishte hequr dorë përfundimisht nga plani për krijimin e një fondi “kundër instrumentalizimit” të drejtësisë, përmes të cilit do të kompensoheshin aleatë të Trumpit që ishin ndjekur penalisht gjatë presidencës së Joe Biden.
Senatorët kërkuan gjithashtu sqarime për çështjen e imunitetit fiskal të dhënë për familjen Trump.
Blanche publikoi gjatë fundjavës një deklaratë ku iu përgjigj këtyre kërkesave. Ai bëri të ditur se fondi prej 1.8 miliardë dollarësh ishte “anuluar”, ndërsa sqaroi se përfitimi fiskal lidhej me Donald Trumpin, djemtë e tij dhe biznesin familjar, për deklaratat tatimore të viteve të mëparshme.
Senati amerikan, ku republikanët kanë shumicën, pritet të japë miratimin përfundimtar për emërimin e Todd Blanche deri në fund të kësaj jave.


