Inxhinieri i pyjeve denoncon: Jam ish-punonjës i qeverisë “Rama 1”, u detyrova të largohem sepse nuk vidhja dot

Një emigrant në Itali, ish-punonjës administrate i qeverisë “Rama 1” denoncoi nga sheshi i protestës në ditën e 66-të të rezistencës popullore se iku nga Shqipëria bashkë me familjen e tij pasi nuk mund të vidhte dot siç bënin zyrtarët e pushtetit.
Ai akuzoi Ramën dhe Berishën si tradhtarë të kombit që duhet të largohen një orë de më parë.
Ish-inxhinieri i Pyjeve nga Dibra kërkoi që Shqipëria të ndryshonte nëpërmjet kësaj proteste popullore dhe se do qëndronte në sheshin e saj deri në largimin e qeverisë.
Ai falënderoi të gjithë protestuesit për qëndresën e tyre, duke përmendur veçanërisht nënat me fëmijë të vegjël dhe personat me aftësi të kufizuara që, sipas tij, nuk e kanë braktisur protestën.
“Ju falënderoj të gjithë qëndrestarëve, atyre nënave me fëmijë të vegjël dhe personave me aftësi të kufizuara, që nuk e braktisën këtë shesh. Këtu po shkruhet historia e re e Shqipërisë. Këta pas meje janë tradhtarët më të mëdhenj të kombit. Jam inxhinier pyjesh. Kam qenë punonjës i qeverisë ‘Rama 1’. U detyrova të largohem nga atdheu, sepse duhej të vidhja, por nuk mund të vidhja tokën dhe popullin tim. Sistemi që ndërtuan këta na detyroi të emigrojmë”, tha ai mes të tjerash.
Më tej emigranti akuzoi se diasporës qeveria i ka ngulur thikën pas shpine, duke apeluar për rezistencë.
“Sot edhe shqiptarëve të diasporës u kanë futur thikën pas shpine, duke u shkaktuar dëme të mëdha. Nëse një shqiptar sillte 100 mijë euro, fitonte 50 milionë lekë, ndërsa tani i humb ato. Kam ardhur nga Italia me familjen për pushime dhe do t’i mbyll ato këtu, në protestë. Dy tradhtarët më të mëdhenj të popullit janë Berisha dhe Rama. Flas me fakte. Dorëheqje”, u shpreh ai.


