BE-ja drejt pezullimit të azilit?! Ja propozimi i Greqisë pas krizës me emigrantët në Ceuta

Kriza në Ceuta e ka rikthyer emigracionin në qendër të agjendës evropiane. Qeveria greke po kërkon hapjen e diskutimit në BE për krijimin e një mekanizmi të përhershëm që në rrethana të jashtëzakonshme dhe në përputhje me të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare, do të lejojë pezullimin e përkohshëm të procedurave të azilit dhe kthimin e menjëhershëm të personave që hyjnë në mënyrë të paligjshme.
Propozimi i kryeministrit Kyriakos Mitsotakis u paraqit sot nga ministri grek i Emigracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme me videokonferencë të ministrave të Brendshëm dhe të Emigracionit të vendeve të BE-së.
Në fjalën e tij, Plevris theksoi se propozimi bazohet në përvojën e Greqisë gjatë krizës së Evros në vitin 2020, si dhe në zhvillimet e fundit në Ceuta. Sipas tij, qëllimi është mbrojtja e BE nga instrumentalizimi i flukseve migratore, pa cenuar vlerat themelore evropiane.
Ministri shprehu solidaritetin e Greqisë me Spanjën dhe argumentoi se, në raste të jashtëzakonshme me mbërritje masive emigrantësh, duhet të ekzistojë një mekanizëm evropian që të lejojë pezullimin e përkohshëm të shqyrtimit të kërkesave për azil dhe kthimin e atyre që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, si një masë për mbrojtjen e vetë sistemit evropian të azilit.
Plevris kërkoi gjithashtu forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE , rritjen e rolit të Frontex-it dhe zgjerimin e bashkëpunimit me vendet e treta, duke theksuar se një bashkëpunim efektiv ndihmon në uljen e ndjeshme të flukseve migratore. Si shembull, ai përmendi ishujt e Egjeut, ku sipas tij mbërritjet kanë rënë me mbi 60% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave më të fundit të UNHCR-së, deri në fund të korrikut 2026 në Greqi kanë hyrë 23.001 migrantë dhe refugjatë, nga të cilët 18.569 me rrugë detare dhe 4.432 nga kufiri tokësor. Këto shifra janë dukshëm më të ulëta se në vitin 2015, kur në Greqi mbërritën mbi 860 mijë persona. Këtë vit, rruga me rritjen më të madhe është ajo nga Libia drejt Kretës dhe Gavdosit, e cila është shndërruar në pikën kryesore të hyrjes në vend. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, në Kretë dhe Gavdos janë regjistruar 8.552 mbërritje.


