Përshkallëzohen sulmet në kufirin Afganistan-Pakistan! 3 viktima dhe 45 të plagosur, mes tyre dhe fëmijë

Përleshjet ndërkufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit kanë shkaktuar viktima në të dyja anët, duke shënuar një përshkallëzim të ri të tensioneve pavarësisht një armëpushimi të fundit.
Sipas zyrtarëve lokalë të cituar nga “TOLOnews”, në provincën Kunar të Afganistanit të paktën tre persona janë vrarë dhe 45 të tjerë, përfshirë fëmijë, janë plagosur si pasojë e sulmeve me raketa të kryera nga Pakistani.
Nga ana pakistaneze, autoritetet raportojnë se tre civilë janë plagosur gjatë shkëmbimeve të zjarrit.
Një zëdhënës i forcave kufitare të Pakistanit e ka cilësuar incidentin në Uaziristanin Jugor si përplasjen më të rëndë që prej shpalljes së armëpushimit më shumë se një muaj më parë.
Ndërkohë, sipas burimeve të “TOLOnews”, një fëmijë është vrarë pranë pikës kufitare “Friendship Gate” në Spin Boldak, ndërsa më pas janë raportuar edhe përplasje të armatosura mes forcave talebane dhe trupave pakistaneze në zonë.


