Pasiguria për Hormuzin mban nën presion tregjet, çmimi i naftës ngjitet mbi 80 dollarë

Bota

Pasiguria për Hormuzin mban nën presion tregjet, çmimi i

Çmimet globale të naftës kanë shënuar një rritje të lehtë të enjten, ndërsa investitorët po tregohen të kujdesshëm për zhvillimet rreth Ngushticës së Hormuzit dhe një marrëveshjeje të mundshme për rihapjen e saj.

Nafta e papërpunuar Brent, referenca kryesore për tregun global, u rrit me rreth 1.2%, duke u tregtuar pranë 80 dollarëve për fuçi. Ndërsa nafta amerikane WTI shënoi një rritje prej rreth 1%, duke arritur në afërsisht 76 dollarë për fuçi.

Rritja vjen pas deklaratave të Iranit se po finalizon një marrëveshje me Omanin për tranzitin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë sqaruar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht një rihapje të plotë të rrugës detare.

Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, pasi përmes saj kalonte rreth 20% e naftës globale përpara përshkallëzimit të konfliktit.

Në tregjet ndërkombëtare ka ende pasiguri edhe për shkak të përfshirjes së rebelëve Huthi në konflikt. Grupi me bazë në Jemen mori përgjegjësinë për një sulm ndaj një naftëmbajtëseje saudite në Gjirin e Adenit, pranë një tjetër rruge strategjike detare, Ngushticës Bab al-Mandeb.

Analistët e Deutsche Bank kanë vlerësuar se tregjet kanë përjetuar disa sinjale të rreme gjatë krizës dhe se vëmendja tani është zhvendosur te zbatimi konkret i çdo marrëveshjeje të mundshme dhe kushtet që do të shoqërojnë atë.

ME TE LEXUARAT