Pas tre ditëve debat, Ana Brnabiç zgjidhet kryetare e Kuvendit të Serbisë

Bota

Pas tre ditëve debat, Ana Brnabiç zgjidhet kryetare e Kuvendit

Ish-kryeministrja dhe zyrtarja e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Ana Brnabiç, është zgjedhur të mërkurën kryetare e Kuvendit të Serbisë. Nga 158 deputetë të pranishëm në sallë, 153 votuan pro, ndërsa pesë ishin kundër emërimit të saj.

Ana Brnabiç u propozua nga SNS-ja, një parti e cila, së bashku me partnerët e saj në listën e saj zgjedhore, ka shumicën prej 129 nga 250 ulëse në Kuvend. Propozimi që Brnabiç të zgjidhet kryetare e Kuvendit u përcoll me një debat treditor, i cili u karakterizuan me ofendime dhe të bërtitura ndaj deputetëve.

Gjatë debatit, deputetët e opozitës e kritikuan propozimin e Qeverisë për zgjedhjen e Brnabiç në krye të Kuvendit. Deputeti opozitar nga Lëvizja Kombëtare e Serbisë, Borisllav Novakoviç, tha se kryetarja e Kuvendit duhet të jetë e moderuar dhe të tregojë gjakftohtësi gjatë seancës.

“Kam vënë re vetëm kufizime nga Ana Brnabiç”, ka thënë ai, duke thënë se në dy raste ajo ka fyer opozitën.

“Unë mendoj se zonja Brnabiç, ju duhet të punoni në fjalorin tuaj”, shtoi ai.

Lideri i SNS-së dhe ministri i Mbrojtjes në Qeverinë Teknike të Serbisë, Millosh Vuçeviç, e ka quajtur Novakoviçin, siç raportojnë mediat, “kriminelin më të madh në Novi Sad”, duke pretenduar se ai ka “vjedhur” para nga buxheti i shtetit.

“Zvonko Veselinoviç është shembull i ndershmërisë për ju”, tha Vuçeviç.

Në fund të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Financave e cilësoi Zvonko Veselinoviç si udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal dhe si një nga figurat më famëkeqe të korruptuar në Kosovë dhe për pasojë e vendosi atë në listën e sanksioneve. Shefi i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Millenko Jovanov, tha se lista opozitare “Serbia kundër dhunës” i ndan njerëzit dhe imiton elitën.

"Ju jeni një elitë ashtu siç jam unë një astronaut. Epo, ju jeni një elitë e tillë", tha Jovanov.

Brnabiç tha se opozita ka kërkuar nga Parlamenti Evropian “të shfuqizojë sovranitetin e Serbisë dhe Kuvendit”. Ajo tha se Parlamenti Evropian nuk do të jetë mbi parlamentin serb.

“Nuk ju mjaftoi një rezolutë e PE-së, të cilën e sollët vetë dhe e cila kërkon heqjen e sovranitetit të Serbisë, që PE-ja të mund të pezullojë ligjet tona. Dhe, nuk ju mjaftoi ai turp, po na kërcënoni me një rezoluta e re e PE”, tha Bërnabiç.

ME TE LEXUARAT