78 mijë dollarë për fëmijë/ Cili është shteti që ofron shifrën e majme për prindërit?

Bota

78 mijë dollarë për fëmijë/ Cili është shteti
Singapori ka prezantuar një paketë të re masash për të nxitur çiftet të kenë më shumë fëmijë, ndërsa vendi po përballet me rënie rekord të lindshmërisë dhe plakje të shpejtë të popullsisë.


Kryeministri Lawrence Wong njoftoi se çdo fëmijë me shtetësi singaporeane do të përfitojë pothuajse 70 mijë dollarë singaporeanë, rreth 77 mijë dollarë australianë ose 55 mijë dollarë amerikanë , në mbështetje të drejtpërdrejtë financiare, nga lindja deri në moshën 17-vjeçare.

Paketa e re, e quajtur “SG Child Support Package”, përfshin:

10 mijë dollarë singaporeanë dhuratë në para pas lindjes;
2 mijë dollarë në vit, nga mosha një deri në 16 vjeç;
5 mijë dollarë në llogarinë e zhvillimit të fëmijës;
deri në 5 mijë dollarë kontribute shtesë nga qeveria, në varësi të kursimeve të familjes;
10 mijë dollarë në llogarinë e arsimit pas përfundimit të shkollës së mesme.

Së bashku me grantin ekzistues prej 5 mijë dollarësh për shpenzimet shëndetësore të të porsalindurve dhe kontributet për arsimin, mbështetja totale arrin në rreth 69,500 dollarë singaporeanë për çdo fëmijë.

Shuma nuk do të jepet menjëherë, por do të shpërndahet gjatë 17 viteve të para të jetës së fëmijës. Skema do të zbatohet pavarësisht rendit të lindjes, gjendjes familjare apo statusit martesor të prindërve.

Më shumë se 610 mijë fëmijë në rreth 380 mijë familje pritet të përfitojnë, ndërsa pagesat do të nisin në vitin 2027.

Qeveria do të ulë gjithashtu tarifat e kopshteve dhe çerdheve publike. Deri në vitin 2030, synohet që kujdesi ditor për fëmijët të kushtojë 150 dollarë singaporeanë në muaj, ndërsa ai për foshnjat 300 dollarë.

Do të zgjerohet leja prindërore dhe shteti do të mbulojë një pjesë më të madhe të kostos së saj, për të shmangur penalizimin e prindërve në tregun e punës. Familjet me fëmijë do të kenë gjithashtu më shumë lehtësi për të blerë banesën e parë të subvencionuar.

Masat vijnë pasi shkalla e lindshmërisë në Singapor ra në nivelin rekord prej 0.87 fëmijësh për grua në vitin 2025, nga 0.97 një vit më parë. Kjo është shumë poshtë nivelit prej 2.1 fëmijësh që nevojitet për zëvendësimin natyror të popullsisë.

Singapori, me pak më shumë se 6 milionë banorë, po shndërrohet në një shoqëri “super të plakur”. Deri në vitin 2030, një në katër qytetarë pritet të jetë mbi 65 vjeç.

“Vendimi për të pasur fëmijë është thellësisht personal dhe politikat, të vetme, nuk mund ta ndryshojnë atë.

Por ne mund t’ua bëjmë më të lehtë qytetarëve që dëshirojnë të krijojnë dhe të rrisin një familje”, deklaroi Wong./FINANCIAL REVIEW-ad/

ME TE LEXUARAT