Publikohen emrat/ Sherr në një lokal në Tiranë, i riu goditet me qytën e pistol'etës, pranga dy personave

Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar mbrëmjen e 24 gushtit në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, pas një konflikti mes disa personave në lokalin “Omerta”.
Ngjarja u raportua rreth orës 22:00, ndërsa në vendngjarje ndërhynë menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Indrit Kallari, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, tip “TT”. Sipas policisë, me këtë armë dyshohet se Kallari ka goditur në kokë shtetasin Arben Merkaj.
Indrit Kallari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” dhe “Plagosja e rëndë”, të parashikuara nga nenet 278 dhe 88 të Kodit Penal. Ndërkohë, në vijim të hetimeve, u arrestua edhe Arben Merkaj, i cili është personi i dëmtuar në këtë ngjarje.
Sipas policisë, Merkaj akuzohet për “Moskallëzimin e krimit”, pasi nuk ka treguar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja. Autoritetet bëjnë me dije se Kallari e ka goditur atë me qytën e pistoletës në ballë.
Në kuadër të hetimeve është sekuestruar edhe DVR-ja e lokalit ku ndodhi konflikti, me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale për dokumentimin ligjor të rastit.


