Pas tajfunit që la 200 të vdekur, stuhia e fortë godet Filipinet

Një stuhi ka goditur ishullin më të madh të Filipineve dhe është përshkallëzuar në statusin e një “super tajfuni”, me një rajon që tashmë po përjeton “kushte kërcënuese për jetën”.
Tajfuni Fung Wong po sjell erëra të qëndrueshme deri në 185 km/h dhe reshje të dendura shiu në disa zona të vendit, sipas shërbimit meteorologjik Pagasa.
Rajoni lindor Bicol u godit i pari në mëngjesin e së dielës, ndërsa pritet që Luzoni, qendra kryesore e popullsisë të ndjejë ndikimin e stuhisë gjatë natës.

Fung Wong, i njohur nga vendasit si Wean, vjen vetëm disa ditë pas tajfunit Kalmaegi, që la pothuajse 200 të vdekur dhe shkatërrime të mëdha.
Shumë shkolla kanë pezulluar mësimet, ndërsa Philippine Airlines ka anuluar disa fluturime lokale. Stuhia mbetet e fuqishme, ndërsa kalon mbi Luzon. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve në zona bregdetare dhe të ulëta të evakuohen drejt vendeve më të larta.

Në ishullin Catanduanes janë raportuar kushte ekstreme, ndërsa hotelet dhe bizneset përgjatë bregut janë boshatisur plotësisht. Pas tajfunit Kalmaegi, i cili shkaktoi rrëshqitje dhe përmbytje masive, operacionet e shpëtimit janë pezulluar përkohësisht.
Më shumë se 200 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 janë ende të zhdukur në Filipine.
Banorët e frikësuar thonë se pas tragjedisë së javës së kaluar, tani duan vetëm të mbrojnë familjet e tyre nga stuhia e re./BBC/


