Ministri i jashtë i Rusisë Lavrov i përgjigjet Zelenskit: Nëse ju intereson Kushtetuta e Ukrainës, e dini çfarë duhet të bëni…

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili theksoi se nuk mund të japë territore ukrainase duke u mbështetur në Kushtetutën e vendit.
“Nëse Zelensky ‘kujdeset’ për Kushtetutën e Ukrainës, atëherë le të nisë nga nenet e para, të cilat garantojnë të drejtat e popullsisë rusishtfolëse”, deklaroi Lavrov pas takimit në Shtëpinë e Bardhë. Komentet e tij vijnë pas kritikave të presidentit amerikan për përdorimin e Kushtetutës nga Zelensky si argument për të mos lëshuar territore. Lavrov shtoi se Rusia “nuk ka pasur kurrë si qëllim” marrjen e Krimesë, Donbasit apo asaj që e quan “Novorosia”, por vetëm “mbrojtjen e popullit rus”.
Sipas Kushtetutës së Ukrainës, çdo ndryshim kufijsh mund të miratohet vetëm me referendum. Neni 73 përcakton se “çështjet që lidhen me integritetin territorial zgjidhen ekskluzivisht me referendum popullor”, të kërkuar nga autoritetet politike ose nga qytetarët, nëse mblidhen të paktën tre milionë firma nga dy të tretat e rajoneve të vendit.
Qeveria ukrainase dhe aleatët europianë kanë bërë të qartë se nuk pranojnë njohjen ligjore të asnjë pjese të territorit si rus, edhe pse sinjale nga terreni mund të kërkojnë pranim të humbjeve de facto. Zelensky ka nënvizuar se bisedimet për paqe mund të zhvillohen vetëm mbi vijën aktuale të frontit dhe jo duke tërhequr trupat nga toka që Rusia nuk kontrollon. Ai paralajmëroi gjithashtu se tërheqja nga linjat e fortifikuara në Donetsk rrezikon avancimin rus në territore më të pambrojtura të Ukrainës lindore.


