Verifikimi i dëmeve nga zjarret nis në Gramsh e Delvinë, 57 veterinerë në terren për të vlerësuar humbjet

Aktualitet

Verifikimi i dëmeve nga zjarret nis në Gramsh e Delvinë, 57

Procesi i verifikimit të dëmeve nga zjarret në Gramsh dhe Delvinë ka nisur zyrtarisht, me 57 veterinerë të shpërndarë në terren për të regjistruar humbjet e shkaktuara në blegtori dhe bujqësi. Sipas drejtuesit të AKVMB, Sulejman Kullolli, asnjë fermer nuk do të marrë dëmshpërblim për bagëtinë, stallat, parcelat apo shtëpitë e djegura pa përfunduar inventarizimi i plotë i dëmeve.

Drejtori Kullolli shpjegon se pas përfundimit të verifikimit nga trupat inspektuese, Këshilli i Ministrave do të vendosë për sasinë dhe vlerën e kompensimeve. Ky proces pritet të përfundojë pasi të formohet qeveria e re.

Sipas të dhënave të grumbulluara deri tani, numri më i madh i bagëtive të humbura është regjistruar në Njësinë Administrative Skëndërbegas të Gramshit dhe në Bashkinë e Delvinës, zonat ku vatrat e zjarrit ishin më të mëdha dhe u përhapën për më shumë kohë. Janë identifikuar: 13 gjedhë, 262 të imta njëthundrakë, 7 derra, 90 shpendë, si dhe 7 stalla të djegura. Përveç kësaj, janë shkatërruar 747 koshere me bletë.

Grupet e punës në terren po vazhdojnë identifikimin e kafshëve të djegura, groposjen e tyre dhe dezinfektimin e zonave të prekura. Kriteri kryesor për të përfituar dëmshpërblim mbetet regjistrimi i fermave në sistemin RUDA dhe pranë drejtorive të bujqësisë.

Harta e zjarreve për vitin 2025 shkon në 54 mijë hektarë, por sipërfaqja e parcelave me pemë të djegura ende nuk është përcaktuar. Fermerët duhet të presin për verifikimin e plotë të dëmeve para se të nisë procedura e kompensimeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion