Kolumbia “përkulet” ndaj kërcënimeve të Trump! Pranon kushtet për kthimin e emigrantëve të paligjshëm

Bota

Kolumbia “përkulet” ndaj kërcënimeve të Trump!

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Kolumbia ka pranuar kushtet e vendosura nga Presidenti Donald Trump për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm, duke shtuar se tarifat dhe sanksionet e shpallura më herët kundër vendit të Amerikës Latine do të pezullohen.

“Qeveria kolumbiane ka pranuar të gjitha kushtet e Presidentit Trump, duke përfshirë pranimin e të gjithë të huajve të paligjshëm nga Kolumbia të cilët janë riatdhesuar nga SHBA”, tha presidenca amerikane.

Tarifat dhe sanksionet do të rikthehen nëse Bogota shkel marrëveshjen, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Kolumbisë, Luis Hilberto Murillo, foli për një “ngërç” të “kapërcyer”.

“Ne do të vazhdojmë të mirëpresim burrat dhe gratë kolumbiane që kthehen si të dëbuar,” tha ministri në një konferencë për shtyp.

Donald Trump të dielën njoftoi një sërë tarifash dhe sanksionesh kundër Kolumbisë, pas vendimit të marrë nga Bogota për të urdhëruar kthimin e avionëve ushtarakë që transportonin emigrantë të deportuar nga SHBA.

Presidenti socialdemokrat kolumbian Gustavo Petro shpjegoi arsyetimin e vendimit të tij, duke nënvizuar se “emigranti nuk është kriminel”, përkundrazi, “ai duhet të trajtohet me dinjitetin që meriton çdo qenie njerëzore. Ne do t’i presim shtetasit tanë (nëse transportohen) me avionë civilë pa i trajtuar si kriminelë”.

Presidenti amerikan, duke folur për një vendim që “rrezikon sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike” të vendit të tij, njoftoi përmes Truth Social një sërë masash hakmarrëse, në veçanti vendosjen e tarifave prej 25% për të gjitha produktet kolumbiane të importuara në SHBA, megjithëse të dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë në fuqi që nga viti 2006. Ai shpjegoi se brenda një jave tarifat do të rriten në 50%.

Kolumbia gjithashtu u përgjigj me tarifa

Presidenti kolumbian Petro reagoi duke njoftuar nga ana e tij nëpërmjet X-së se kishte udhëzuar Ministrinë e Tregtisë së Jashtme të “rriste në 25% tarifat për importet nga SHBA”.

Sanksionet e shpallura nga Donald Trump përfshinin gjithashtu ndalimin e hyrjes në SHBA dhe anulimin e vizave për zyrtarët e qeverisë kolumbiane, duke përfshirë kreun e shtetit, aleatët dhe mbështetësit e tyre, si dhe “kontrolle të zgjeruara” për hyrjen e çdo shtetasi ose të mallrave që mbërrijnë në vend nga shteti i Amerikës Latine.

“Këto masa janë vetëm fillimi”, deklaroi presidenti amerikan, duke akuzuar qeverinë kolumbiane se ka shkelur “detyrimin e saj ligjor për të pranuar kthimin e emigrantëve”.

Presidenti kolumbian Petro tha në të njëjtën kohë se do të dërgonte avionin presidencial për të “lehtësuar kthimin dinjitoz të shtetasve të Kolumbisë që do të mbërrinin në vend ditën e djeshme.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti i tij i Shtetit se Petro fillimisht kishte rënë dakord për fluturimet, por “e anuloi miratimin e tij ndërsa avioni ishte në fluturim”.

Disa orë më vonë, Rubio njoftoi se kishte urdhëruar Ambasadën e SHBA-së në Bogota të pezullonte lëshimin e çdo vize pasaporte dhe të fillonte vendosjen e sanksioneve të udhëtimit ndaj anëtarëve të administratës.

ME TE LEXUARAT