I dërguari special i SHBA-së Witkoff: Trump kërkon lirimin e të gjithë pengjeve në Gaza dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës

I dërguari special i SHBA-ve, Steve Witkoff, deklaroi në një intervistë për Fox News se Presidenti Donald Trump kërkon lirimin e të gjithë pengjeve nga Gaza dhe bën thirrje për një përfundim të menjëhershëm të konfliktit.
Witkoff komentoi marrëveshjen e armëpushimit të pjesshëm dhe shkëmbimin e pengjeve të propozuar nga Hamasi, duke theksuar se Trump mbetet i vendosur për lirimin e plotë të të burgosurve. “Trump ka qenë shumë i qartë dhe i prerë në qëndrimin e tij. Ai dëshiron kthimin e të gjithë pengjeve. Ky është pozicioni ynë,” tha Witkoff, duke iu referuar edhe një postimi të presidentit në rrjetin Truth Social, ku theksohej se pengjet nuk do të lirohen veçse nëse Hamasi përballet dhe shkatërrohet.
Qëndrimi i Witkoff përputhet me atë të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili po vijon ofensivën ushtarake kundër Hamasit dhe ka deklaruar se Izraeli mbetet i përkushtuar ndaj një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për lirimin e të gjitha pengjeve dhe përfundimin e luftës sipas kushteve të vendosura nga Izraeli.
“Ky konflikt duhet të marrë fund menjëherë. 20 pengje duhet t’u kthehen familjeve të tyre, të burgosurit palestinezë përkatës duhet të lirohen, dhe kjo çështje duhet të mbyllet – populli i Gazës ka nevojë për paqe dhe qetësi, dhe rajoni duhet të rindërtohet,” theksoi Witkoff.
Megjithatë, ai nuk përmendi pengjet e mbetura – 30 gjithsej, nga të cilët 28 janë konfirmuar të vdekur. Më herët gjatë vitit, Trump kishte mbështetur emigracionin masiv dhe rindërtimin e plotë të Gazës, por muajt e fundit është distancuar nga ky pozicion.


