I shkaktoi shtetit 33 mln lekë dëm ekonomik, GJKKO i kthen SPAK dosjen për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi

Politikë

I shkaktoi shtetit 33 mln lekë dëm ekonomik, GJKKO i kthen SPAK dosjen

Gjykata e Posaçme i ka kthyer SPAK dosjen për ish kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, me kërkesën që prokurori Elvin Gokaj të qartësojë akuzën që ka ngritur ndaj tij.

Vendimi u dha këtë të enjte nga gjyqtare Rudina Palloj, e cila i la afat kohor 2 javë organit të akuzës të shpjegoj përse e ndryshoi veprën penale të Rroshit nga “shkelje e barazisë në tendera” në “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Posaçme më herët kërkoi pushimin e 6 episodeve të shpërdorimit të detyrës për ish-kryebashkiakun për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Roshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku së bashku me 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH e akuzoi Bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.

Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.

Më 17 maj 2025, SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.

Lajm në përditësim…

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion