Gjermania ndalon dy të dyshuar si spiunë të Rusisë

Policia gjermane ka arrestuar dy persona të dyshuar për spiunazh për Rusinë. Shtetasit gjermano-rusë akuzohen se kanë vepruar si agjentë për qëllime sabotazhi.
Prokurorët gjermanë thanë të enjten (18.04.) se policia në qytetin bavarez Bayreuth kishte arrestuar dy burra të dyshuar për spiunazh për Rusinë.
Të dy akuzohen, ndër të tjera, se kanë vepruar si agjentë për qëllime sabotazhi dhe për përgatitjen e eksplozivëve, njoftoi Prokuroria Federale Gjermane në Karlsruhe.
Policia federale arrestoi Dieter S. dhe Alexander J. dhe, së bashku me policinë e shtetit bavarez, kontrolluan shtëpitë dhe vendet e punës të të pandehurve.
Dy të dyshuarit thuhet se kishin vëzhguar objektiva të mundshme sulmi, përfshirë dhe baza ushtarake amerikane në Gjermani.
S., për të cilin prokurorët thonë se ishte në kontakt me një agjent të shërbimit sekret rus, akuzohet gjithashtu për komplot për të shkaktuar një shpërthim dhe zjarrvënie.
I akuzuari thuhet se ka shkëmbyer ide me agjentin që nga tetori i vitit 2023 për veprime të mundshme sabotuese.
Veprimet kishin në veçanti për qëllim të minonin mbështetjen ushtarake të ofruar nga Gjermania për Ukrainën.


