Fshati që po përgatitet për spektakëlin qiellor/ Bariu ndërton observatorin e tij për eklipsin që do shënojë historinë (FOTO)

Në një cep të qetë të Spanjës, një bari pensionist është kthyer në qendër të vëmendjes për një arsye krejt të pazakontë.
Joaquin Tapioles ka ndërtuar vetë një observator të vogël në fshatin ku jeton, me synimin për të ndjekur një nga spektaklet më të rralla astronomike që mund të shihen nga territori spanjoll.
Pasioni i tij për qiellin nisi që në fëmijëri, kur ai vëzhgonte yjet dhe përpiqej të kuptonte misteret e universit. Me kalimin e viteve, kjo kuriozitet u shndërrua në një projekt personal.

Tani observatori i ndërtuar prej tij do t'i japë mundësinë të ndjekë një eklips total diellor nga një vend shumë larg observatorëve të mëdhenj dhe qendrave shkencore.
Eklipset totale diellore janë ndër fenomenet më spektakolare natyrore. Ato ndodhin kur Hëna kalon saktësisht mes Tokës dhe Diellit, duke mbuluar përkohësisht diskun diellor dhe duke krijuar një errësirë të pazakontë në mes të ditës.
Për pak minuta, temperatura mund të bjerë, kafshët mund të ndryshojnë sjellje dhe qielli merr një pamje krejt tjetër.

Tapioles nuk është astronom profesionist. Pikërisht kjo e bën historinë e tij edhe më interesante. Ai përfaqëson mijëra njerëz që, pa pasur laboratorë apo teleskopë të mëdhenj, i janë afruar shkencës përmes kuriozitetit personal.
Observatori i tij është një shembull se si pasioni për universin mund të lindë edhe në vendet më të papritura.
Dhe ndërsa shumë njerëz do ta shohin eklipsin përmes transmetimeve televizive apo internetit, ai do ta ndjekë nga observatori që ndërtoi vetë, në fshatin ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës.


