Aksidenti ku vdiqën shqiptarët nënë e bir, eksperti grek: Shkak jo vetëm shpejtësia, por…

Në gjendje shoku vijon të jetë komuniteti lokal në Serres pas aksidentit tragjik të ndodhur më herët në aksin rrugor provincial Amfipoli-Dramë, ku humbën jetën një 43-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar, me origjinë shqiptare.
Ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, një ekspert teknik grek, duke folur për televizionin grek ERT, ka dhënë vlerësimet e tij paraprake mbi dinamikën e përplasjes. Sipas tij, automjeti dy viktimave kishte kaluar një shpejtësi mbi 70 km/h, por shkaku i aksidentit mund të mos ketë qenë vetëm shpejtësia.
Sipas ekspertit, makina që drejtohej nga 24-vjeçari në Serres ka lëvizur me një shpejtësi më të lartë se ajo e lejuar për atë segment rruge. Megjithatë, ai thekson se një faktor tjetër mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjetit.
Duke analizuar momentin kur makina del nga korsia e saj dhe kalon në krahun e kundërt të rrugës, pak para përplasjes me kamionin, eksperti Panagiotis Stamiris tha: “Automjeti devijon në një distancë të konsiderueshme nga pika e aksidentit dhe mënyra se si ndodh devijimi tregon se nuk është vetëm shpejtësia ajo që e ka shkaktuar. Mund të ketë pasur një shpërqendrim të vëmendjes, ndoshta ka folur në telefon ose diçka tjetër”.
Eksperti shpjegoi se shpejtësia e lartë ndikon në kohën që i duhet drejtuesit për të rikthyer kontrollin e makinës, veçanërisht në kthesa.
“Sapo automjeti fillon të largohet nga korsia e tij dhe kalon në korsinë tjetër, nuk shohim asnjë përpjekje për ta rikthyer menjëherë. Kjo përpjekje bëhet vetëm pasi makina ka qëndruar për një kohë në korsinë e kundërt”, u shpreh ai.
“Për këtë arsye mendoj se mund të ketë pasur një shpërqendrim të vëmendjes ose mungesë eksperience nga ana e drejtuesit, i cili nuk e vlerësoi siç duhet situatën dhe nuk reagoi në kohë”, shtoi Stamiris.
Eksperti vlerëson se automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi më të madhe se kufiri i lejuar.
“Sigurisht që shpejtësia ishte e rritur. Besoj se ishte mbi limitin. Kur flasim për shpejtësinë kritike në një kthesë, nënkuptojmë se çdo automjet ka një kufi të caktuar. Nëse ky kufi tejkalohet në një kthesë, automjeti del nga trajektorja”, tha ai.
Duke u bazuar te pamjet filmike dhe dëshmia e një drejtuesi tjetër, i cili deklaroi se lëvizte me 70-80 km/h dhe në video duket se ishte me shpejtësi më të ulët se automjeti i viktimave, Stamiris vlerësoi se makina fatale mund të ketë qenë duke lëvizur mbi 70-80 km/h.
Megjithatë, ajo që e shqetëson ekspertin është fakti se drejtuesi nuk duket se ka reaguar në kohë.
“Në momentin kur automjeti largohet drejt korsisë së kundërt, edhe para se të hyjë plotësisht në të, një drejtues që do të kishte vëmendjen e përqendruar do të mund të fillonte ta rikthente makinën. Por ne shohim se ai futet në korsinë tjetër, lëviz për disa metra aty dhe vetëm më pas fillon ta korrigjojë drejtimin”, tha ai.
Sipas ekspertit, kjo mund të nënkuptojë dy mundësi: “Ose drejtuesi e kuptoi me vonesë atë që kishte ndodhur, ose për shkak të mungesës së eksperiencës nuk ishte në gjendje ta vlerësonte siç duhet situatën”.


