EMRAT/ Sherri në burgun e Fierit, të përfshirët pjesë e dosjes “Metamorfoza” dhe rrethit të Ervis Martinajt

FIER- Dy personazhe të njohur të botës së krimit dhe të akuzuar nga SPAK për pjesëmarrje në grupe kriminale, Denis Bajri dhe Aldo Gjini, janë përfshirë në një sherr në burgun e Fierit, bashkë me një tjetër të burgosur, Jurgen Zoto. Gjithçka ndodhi në ambientet e ajrimit, kur mes të burgosurve shpërtheu një sherr me mjete prerëse, përfshirë brisk.
Është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë së burgut për neutralizimin e situatës, të cilat kanë kthyer të burgosurit në qelitë e tyre. Për shkak të përplasjes me mjete prerëse, Denis Bajri (Bajoviç), si edhe Jurgen Zotaj, kanë mbetur të plagosur. Ata u dërguan në spitalin e Fierit për të marrë ndihmë mjekësore dhe tashmë janë kthyer sërish në qeli.
Motivet e sherrit ende nuk dihen, por burime sqarojnë se tre të burgosurit njihen për raportin e afërt mes tyre dhe kohën që kalojnë së bashku në ambientet e ajrimit. Këqyrja e kamerave të sigurisë do të zbardhë dinamikën e plotë të përplasjes. Ndërsa Aldo Gjini, pjesë e grupit të Rrajave, menjëherë pas sherrit është futur në izolim.
Denis Bajri akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit kriminal Ervis Martinajt, i zhdukur që prej gushtit 2022. Për llogari të Martinajt, Denis Bajri akuzohet se ka marrë pjesë në eliminimin e Gjin Ndojit në 2020-ën. Ai u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tashmë SPAK e ka kaluar dosjen e tij për gjykim.
Aldo Gjini është pjesë e grupit kriminal të ‘Rrajave’ të Fushë-Krujës, të cilët akuzohen nga SPAK se kanë trafikuar 2.4 ton marijuanë e kokainë drejt Evropës. Ndërsa, Jurgen Zoto rezulton në burg për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje.


