Aksident I FRIKSHËM në Tiranë/ 10-vjeçari përplaset nga motori dhe makina njëherësh! Drejtuesi i automjetit largohet nga vendngjarja...

Një aksident i rëndë është regjistruar në rrugën “Llazi Miho” në Tiranë, ku një fëmijë 10-vjeç është përplasur nga dy mjete njëri pas tjetrit.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, i mituri fillimisht është goditur nga një motomjet që drejtohej nga një 27-vjeçar, i cili rezultoi se ishte duke lëvizur pa leje drejtimi.
Pas përplasjes së parë, fëmija dyshohet se është goditur edhe nga një automjet tjetër që drejtohej nga një 47-vjeçar. Ky i fundit është larguar nga vendngjarja pas aksidentit, por është identifikuar dhe kapur më pas nga shërbimet e Policisë.
Për drejtuesin e automjetit është nisur procedimi penal në gjendje të lirë, ndërsa 27-vjeçari që drejtonte motomjetin pa patentë është arrestuar në flagrancë.
Fëmija 10-vjeçar është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr trajtimin mjekësor. Sipas bluzave të bardha, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.