Deri në 4 vite burg për abuzim me kafshët në Itali

Italia ka miratuar një ligj të ri që rrit ndjeshëm dënimet për keqtrajtimin e kafshëve, duke e kthyer këtë çështje në një prioritet ligjor. Sipas rregullave të reja, personat që dëmtojnë apo vrasin qëllimisht kafshë rrezikojnë deri në katër vite burg dhe gjoba që shkojnë deri në 60 mijë euro.
Ligji, i njohur si “Brambilla”, sjell edhe ndryshime thelbësore, pasi për herë të parë kafshët njihen ligjërisht si qenie të ndjeshme dhe jo thjesht si pronë.
Ndërkohë, janë forcuar masat kundër ndeshjeve të paligjshme, trafikut të këlyshëve dhe mbajtjes së qenve të lidhur në mënyrë të vazhdueshme.
Autoritetet parashikojnë dënime edhe më të rënda në rastet kur abuzimi regjistrohet dhe shpërndahet në rrjete sociale apo ndodh në prani të fëmijëve.
Ligji është miratuar me mbështetje të plotë, duke e vendosur Italinë mes vendeve me legjislacionin më të fortë për mbrojtjen e kafshëve në Europë.


