Indonezia tronditet nga pasgoditjet, mbi 2 mijë lëkundje pas tërmetit me magnitudë 7.7

Bota

Indonezia tronditet nga pasgoditjet, mbi 2 mijë lëkundje pas

Indonezia po përballet me një aktivitet të fortë sizmik pas tërmetit me magnitudë 7,7, që goditi vendin të shtunën.

Sipas mediave lokale, deri tani janë regjistruar 2.119 pasgoditje, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se lëkundjet mund të vazhdojnë edhe për tre deri në katër javë.

Agjencia indoneziane e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës bëri të ditur se pasgoditjet kanë pasur magnituda nga 1,3 deri në 6,2. Prej tyre, 24 kanë qenë mbi magnitudën 5, ndërsa 70 lëkundje janë ndier nga banorët.

Tërmeti kryesor goditi të shtunën provincën East Nusa Tenggara, ku ndodhet edhe qendra turistike e Labuan Bajo, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Antara, bilanci deri tani është 68 viktima dhe 213 të plagosur.

Pas goditjeve të fuqishme, autoritetet kanë mbyllur përkohësisht disa prej atraksioneve turistike në ishullin Flores, me qëllim kryerjen e kontrolleve të sigurisë. Ndër vendet e mbyllura janë Shpella Rangko, Fshati Tradicional Wae Rebo dhe Parku Kombëtar Kelimutu.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive, më shumë se 12 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të frikës nga pasgoditjet dhe janë strehuar në komplekse dhe fshatra të ndryshme.

Ekipet e emergjencave kanë evidentuar dëme të mëdha në infrastrukturë. Të paktën 914 banesa janë dëmtuar rëndë, 126 kanë pësuar dëme të moderuara dhe 317 dëme të lehta. Gjithashtu, janë dëmtuar 93 objekte arsimore, 36 objekte shëndetësore dhe 38 ndërtesa qeveritare.

Ndërkohë, aktiviteti sizmik vijoi edhe të martën me një tjetër tërmet të veçantë. Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare raportoi një lëkundje me magnitudë 5,8 në zonën e Ishujve Batu, në Sumatrën Veriore. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së e vlerësoi tërmetin me magnitudë 5,6.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa ekipet në terren po punojnë për vlerësimin e dëmeve dhe për garantimin e sigurisë së banorëve.

ME TE LEXUARAT