Avioni i nisur drejt Milanos goditet nga turbulencat në Gjermani, plagosen 8 pasagjerë

Tetë pasagjerë, përfshirë një fëmijë dyvjeçar, u lënduan pasi një avion i Ryanair nga Berlini drejt Milanos u detyrua të devijonte dhe të bënte një ulje emergjente në aeroportin Memmingen, në jug të Gjermanisë.
Shkak për ngjarjen u bene turbulencat e forta të shkaktuara nga moti i keq.
Sipas policisë bavareze, tre nga pasagjerët e lënduar u transportuan në spital për trajtim mjekësor, ndërsa të tjerët u trajtuan në vendngjarje.
Të gjithë pasagjerët, të cilët ishin gjithsej 179 së bashku me gjashtë anëtarë të ekuipazhit, iu nënshtruan kontrolleve mjekësore.
Fluturimi, i cili pritej të ulej në aeroportin e Milanos, nuk mundi të përfundonte destinacionin për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe për këtë arsye u devijua drejt Memmingenit, ku u ul në mënyrë të sigurt rreth orës 20:44 me orën lokale.
Autoriteti i Aviacionit të Bavarisë Jugore nuk dha leje për një fluturim të mëtejshëm.
Kompania Ryanair tha se kapiteni kishte kontaktuar paraprakisht për ndihmë mjekësore dhe kërkoi falje për shqetësimet e shkaktuara.
Kompania njoftoi se kishte organizuar transport alternativ drejt Milanos atë natë dhe një fluturim zëvendësues të enjten në mëngjes.
"Ne kërkojmë ndjesë të sinqertë për pasagjerët e prekur nga ky devijim," deklaroi Ryanair në një reagim zyrtar./a2


