Anëtarë të një organizate ndërkombëtare të trafikimit të drogës, arrestohen 4 shqiptarë në Itali!

Autoritetet italiane kanë vënë në pranga 5 persona pasi ndaj tyre ishin lëshuar udhërarreste nga Gjykata e Bolonjës. Mes të arrestuarve janë 4 shqiptarë dhe një tunizian. Ata dyshohet se janë anëtarë të një organizate kriminale ndërkombëtare, e cila trafikonte drogë mes Holandës dhe Italisë.
Për të shmangur zbulimin nga autoritetet, grupi përdorte komunikime të koduara. Operacioni u krye nga skuadra lëvizëse, e koordinuar nga DDA e Bolonjës, në bashkëpunim me zyrën hetimore spanjolle, të mbështetur nga njësia e kontaktit të SCO-së në Udyco, Madrid, si dhe me skuadrat lëvizëse të Riminit, Trevizos dhe Veronës, ku u identifikuan të dyshuarit.
Hetimet zbuluan se në muajt prill dhe nëntor 2020, grupi kreu nëntë importe kokaine, duke sjellë në total 41.5 kilogramë drogë, si dhe nëntë importe të tjera marijuane, me një sasi prej 76.5 kilogramësh. Përveç këtyre, ata futën në territorin italian edhe 280 kilogramë hashash. Vlera e drogës së importuar, pasi të dilte në treg, vlerësohej mbi 5 milionë euro.


