Ndeshja ndaj Anglisë, Sylvinho del në konferencë për shtyp

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, është në konferencë për shtyp. Shqipëria do të përballet nesër me Anglinë në “wembley”(ora 20:45), për këtë braziliani po tregon situatën aktuale.
Dueli në Londër do të nisë fushatën e kualifikueseve të Botërorit për të dyja skuadrat. Në këtë ndeshje, kuqezinjtë shkojnë për të thyer tabu pasi numërojnë vetëm humbje përballë “Tre Luanëve”.
Që në fillim ky grumbullim ka nisur me probleme në mbrojtje. Sa të vështirë e bën, duke ditur që përballemi me një nga ekipet me sulmin më të mirë në Europë?
Kemi pasur disa probleme me Ismajlin dhe Kumbullën gjatë javës. Pasditen e sotme do të kemi stërvitjen e fundit që do të vlerësojmë lojtarët. Kemi edhe opsione të tjera si Ajeti dhe Mihaj dhe do marrim një vendim.
Koha e përgatitjes e vogël, a mjafton për të përballuar Anglinë?
Do të jetë e vështirë, por dhe e këndshme. E vërtetë që nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur. E kemi diskutuar dhe mes trajnerësh në FIFA, sa e vështirë është. Mos harrojmë që kemi ndeshje dhe ndaj Andorrës. Do jetë e vështirë sepse nuk ka mjaftueshëm kohë. Kemi përdorur video, diskutime me lojtarët, ato vijnë të lodhur duke qenë se kanë sezone të gjata. Nesër do vendosim për titullarët.


