Arben Voja dërgohet me urgjencë në spital gjatë mesnatës, probleme shëndetësore me zemrën një ditë pas arrestimit

Aktualitet

Arben Voja dërgohet me urgjencë në spital gjatë
Arben Voja dërgohet me urgjencë në spital gjatë mesnatës, probleme shëndetësore me zemrën një ditë pas arrestimit
Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është dërguar me urgjencë në spital gjatë mesnatës së kaluar, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore të lidhura me zemrën.

Sipas burimeve, Voja ndodhet aktualisht në ambientet e spitalit, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe po mbahet nën monitorimin e bluzave të bardha. Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore apo natyrën e saktë të shqetësimeve që ka paraqitur.

Dërgimi i tij për trajtim mjekësor vjen vetëm një ditë pas arrestimit, në kuadër të një operacioni policor të zhvilluar për hetimin e tjetërsimit të pronave në zonën e Fierit. Aksioni përfundoi me arrestimin e pesë personave, mes tyre edhe kreu i Spitalit Rajonal të Fierit.

Hetimet lidhen me dyshimet për tjetërsimin e një sipërfaqeje toke shtetërore, përmes dokumenteve të dyshuara si të falsifikuara. Sipas të dhënave të bëra publike për këtë çështje, bëhet fjalë për rreth 44 mijë metra katrorë tokë, e cila dyshohet se është kaluar në pronësi private në funksion të një projekti për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Arrestimi i Vojas dhe personave të tjerë është pjesë e hetimeve për këtë çështje, ndërsa organet kompetente po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të veprimeve të dyshuara. Përgjegjësia penale e të arrestuarve do të përcaktohet nga gjykata në përfundim të procesit ligjor.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Arben Vojas mbetet në vëmendje, ndërsa priten të dhëna të mëtejshme lidhur me trajtimin e tij dhe nëse kjo situatë do të ndikojë në vijimin e procedurave të drejtësisë ndaj tij.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion