Shqipëria ndryshon ekipin negociator me BE-në, zbardhen detajet e riorganizimit

Aktualitet

Shqipëria ndryshon ekipin negociator me BE-në, zbardhen detajet e
Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në përbërjen e Grupit Negociator të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke rishpërndarë përgjegjësitë mes përfaqësuesve të ministrive dhe drejtuesve të institucioneve të pavarura.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e 12 nëntorit dhe prek disa prej kapitujve të rëndësishëm të legjislacionit evropian, për të cilët Shqipëria po zhvillon negociatat e anëtarësimit.

Një nga ndryshimet lidhet me Kapitullin 22, për Politikën Rajonale. Përgjegjësia si negociator i kalon zëvendësministrit të Brendshëm, Oltjon Muzaka, duke zëvendësuar ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

Ndryshime të tjera janë bërë në grupin përgjegjës për ekonominë dhe financat. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, merr gjithashtu përgjegjësinë për Kapitullin 6, që lidhet me të drejtën e shoqërive tregtare. Ndërkohë, shfuqizohet ngarkimi i ish-zëvendësministres Blerta Rama për kapitujt 4 dhe 6.

Në fushën e financave, zëvendësministri Andi Memeti përfshihet si bashkënegociator për Kapitullin 4, ndërsa Endrit Yzeiraj merr përgjegjësi shtesë për kapitujt 9 dhe 17, që lidhen përkatësisht me shërbimet financiare dhe politikën ekonomike e monetare.

Në këtë proces përfshihen edhe përfaqësues të institucioneve të pavarura. Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, caktohet bashkënegociatore për kapitujt 4 dhe 17, ndërsa Adela Xhemali, drejtoreshë e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vijon të jetë pjesë e negociatave për Kapitullin 9.

Riorganizimi prek edhe politikën e konkurrencës, ku kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, do të ndajë përgjegjësinë për Kapitullin 8 me zëvendësministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit, Mario Keputa.

Ndryshime ka edhe në sektorët e bujqësisë dhe shëndetësisë. Zëvendësministrja e Bujqësisë, Tana Kika, i bashkohet Arian Jaupllarit si bashkënegociatore për Kapitullin 12, që lidhet me sigurinë ushqimore. Ndërsa në fushën e shëndetësisë, Denada Seferi vijon përgjegjësinë për Kapitullin 19 dhe Eugena Tomini përfshihet në ekip për Kapitullin 28, që lidhet me mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion