Alkool e pije energjike, trend i të rinjve, mjekët toksikolgë: Përzierja e tyre, rrezik për shëndetin

Një gotë alkool, një pije energjike dhe bindja se gjithçka është nën kontroll. Për shumë adoleshentë ky mund të jetë një kombinim i padëmshëm, por pas tij fshihen rreziqe serioze për shëndetin dhe jetën. Konsumi i njëkohshëm i alkoolit dhe pijeve energjike mund të maskojë ndjesinë e dehjes duke i shtyrë të rinjtë të konsumojnë më shumë alkool dhe të nënvlerësojnë rrezikun.
“Ka një trend rritje të adoleshentëve që përdorin njëkohësisht edhe alkoolin edhe pijet energjike. Duke qenë se alkooli është me efekt depresant, sasia e madhe e alkoolit që konsumohet përkthehet në disa shenja siç është humbja e perceptimit, lodhja, përgjumja, është intoksikimi akut, të cilat nëse janë të papërziera me pijet energjike dallohet qartë. Kur futen në lojë edhe pijet energjike, pra kafeina dhe koncentrime të tjera energjike bëjnë një vigjilencë false sikur e ka situatën nën kontroll”, thotë Shpetim Doksani, mjek toksikolog.
Pasojat nuk shfaqen vetëm gjatë një nate konsumi. Ndryshimet në sjellje mund të bëhen të dukshme edhe në përditshmëri.
“Ajo që e dallon menjëherë një adoleshent është sjellja e tij nën efektin e alkoolit, pra humbja e përqendrimit, mungesë e produktivitetit, lënia mënjanë e mësimeve, sjelljet e dhunshme, marrëdhëniet e vështira me komunitetin ku jetojnë. Marrëdhëniet e vështira me prindërit, të gjitha këto duhet ta dallojnë një adoleshent, që ka filluar të konsumojë dhe ka arritur në një konsum problematikë”, thotë mjeku.
Rreziku shtohet kur kjo ndjesi e rreme kontrolli i shtyn të rinjtë drejt vendimeve impulsive, drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit apo sjelljeve që rrezikojnë veten dhe të tjerët.
“Kur i përziejmë të dyja bashkë të bënë dëm aty ku nuk ta pret mendja, qoftë dëmin tek të tjerët, një aksident me makinë apo ndonjë dhunë mund të pësoj një aksident kardiak, bllok respirator dhe t’i shkaktohet vdekja apo dhe vetëvrasje”, thotë mjeku.
Sipas ekspertëve të shëndetit, prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në sjelljen e adoleshentëve dhe të shmangin paragjykimin. Komunikimi i hapur dhe konsultimi me mjekun ose psikologun, kur është e nevojshme, janë hapa të rëndësishëm për parandalimin e pasojave të rënda.


