Miratimi i Territoriales/ Berisha: Do ndjekim të gjitha rrugët ligjore, por gjykatat janë notere të Ramës

PD do të ndjekë rrugën ligjore dhe referendumin për të kundërshtuar reformën territoriale. Por Sali Berisha është i vetëdijshëm që asnjëra nuk do të rezultojë pozitive.
“Në një akt papërgjegjshmërie absolute, organizata kriminale e parlamentit shqiptar votoi jashtë çdo kondicioni ligjor dhe kushtetues, jashtë të gjitha parimeve ndërkombëtare të qeverisjes vendore, asgjësimin e 15 bashkive të vendit, të cilat shquheshin për performancën, për aktivitetin dhe interesin e tyre për qytetarët.
PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, por paralajmëron të dashur qytetarë, se në narkoshtet rruga ligjore është falsitet. Se gjykatat janë notere të narkoqeverisë. Se referendumet, narkoqeveria nuk mund t’i lejojë kurrë. Megjithatë ne do përdorim çdo mjet ligjor kundër këtij akti”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek çështja e SHISH, Berisha tha se ish-shefja tanimë me masë sigurimi Vlora Hyseni ka përgjuar jo vetëm opozitën por edhe elementë të pushtetit.
“Edi Rama Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptare. Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda Partisë Socialiste. Janë bërë me qindra e qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve”, tha Berisha.


