Alarm për dimrin energjetik në BE/ Komisioni paralajmëron për rritje të ndjeshme të kostove dhe karburanteve

Bota

gazi1-6abbf50dbbf7f.jpg

Bashkimi Evropian nuk parashikon probleme me furnizimin këtë dimër, por pret çmime «shumë të larta» të naftës dhe gazit natyror, deklaroi komisioneri për Energjinë, Dan Jørgensen, në mbledhjen joformale të ministrave të Energjisë të BE-së në Dublin.

Për shkak të krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, «nuk ka asnjë dyshim se po shkojmë drejt një dimri të vështirë», tha komisioneri, duke theksuar se Brukseli po shqyrton se çfarë mund të bëjë për t’i bërë më të përballueshme karburantet për transportin. «Në një dimër të zakonshëm, rreth 50 milionë njerëz në Evropë nuk janë në gjendje të ngrohin siç duhet banesat e tyre. Ky dimër mund të jetë edhe më i vështirë. Prandaj, po e trajtojmë situatën me shumë seriozitet, pa përmendur industrinë tonë, e cila gjithashtu ndodhet nën presion», vijoi ai.

Në këtë kuadër, Jørgensen synon të lehtësojë disa rregulla. Ndër të tjera, ai propozoi shtyrjen me një vit të zbatimit të ligjit evropian për emetimet e metanit që lidhen me importet e hidrokarbureve, një masë që u drejtohet kompanive të këtij sektori. Shtyrja e zbatimit të tij nga viti 2027 në vitin 2028, siç kishte kërkuar së fundmi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do t’u propozohet për diskutim vendeve anëtare dhe Parlamentit Evropian.

Ligji i detyron kompanitë që importojnë hidrokarbure në Evropë të monitorojnë dhe deklarojnë emetimet e metanit, një gaz jashtëzakonisht ndotës. Shumë vende prodhuese të lëndëve djegëse fosile, si SHBA-ja, janë kundër kësaj mase, duke deklaruar se nëse ajo zbatohet në Evropë, mund të pengojë eksportet e tyre.

Nga ana tjetër, organizatat mjedisore paralajmërojnë se shtyrja e zbatimit të ligjit nuk do të ketë asnjë ndikim në çmimet e energjisë.

ME TE LEXUARAT