Shkrimtari francez Michel Houellebecq merret i pandehur për deklaratat ndaj myslimanëve dhe teorinë e “Zëvendësimit të Madh”

Shkrimtari i njohur francez Michel Houellebecq është marrë i pandehur nga një gjykatë në Nanterre të Francës, nën dyshimin për bashkëpunim në nxitjen e diskriminimit, urrejtjes ose dhunës ndaj një grupi personash për shkak të origjinës apo përkatësisë fetare.
Vendimi është marrë këtë të martë, më 10 nëntor, nga një gjyqtar hetues në Gjykatën e Nanterre, pas deklaratave të bëra nga shkrimtari për komunitetin mysliman në një intervistë të publikuar në nëntor të vitit 2022, në revistën “Front Populaire”, të filozofit Michel Onfray.
Gjatë intervistës, autori i romanit “Nënshtrimi” kishte bërë deklarata të forta ndaj myslimanëve, duke parashikuar se në rast se territore të tëra të Francës do të viheshin nën kontrollin islamist, mund të ndodhnin akte dhune, sulme dhe të shtëna me armë në xhami dhe ambiente të frekuentuara nga myslimanët.
Houellebecq kishte deklaruar gjithashtu se, sipas tij, zgjidhja për marrëdhëniet mes popullsisë franceze dhe myslimanëve nuk ishte domosdoshmërisht asimilimi i këtyre të fundit, por respektimi i ligjit dhe, në të kundërt, largimi i tyre nga Franca.
Një tjetër pikë e debatit ishte teoria e njohur si “Zëvendësimi i Madh”, sipas së cilës popullsia evropiane po zëvendësohet gradualisht nga popullsi me origjinë jo-evropiane. Kur u pyet për këtë teori, shkrimtari u shpreh se nuk bëhej fjalë për një teori, por për një fakt.
Deklaratat shkaktuan polemika të forta dhe çuan në depozitimin e kallëzimeve penale nga Unioni i Xhamive të Francës dhe Lëvizja Kundër Racizmit dhe për Miqësinë mes Popujve (MRAP).
Nga ana e tyre, avokatët e shkrimtarit kanë kundërshtuar akuzën, duke argumentuar se deklaratat e tij nuk përmbanin asnjë thirrje, madje as të nënkuptuar, për dhunë dhe se ato mbrohen nga liria e shprehjes dhe e mendimit.
Vetë Houellebecq ishte rikthyer te kjo çështje në librin e tij të botuar në vitin 2023, ku i kishte cilësuar disa prej deklaratave si të pakujdesshme dhe kishte dhënë sqarime lidhur me qëndrimet e tij.


