VIDEO/ Tensione në seancën e parë të parlamentit të ri izraelit, përplasje mes Netanyahut dhe opozitës

Seanca e parë e parlamentit të ri izraelit, Knessetit të 26-të, është shoqëruar me tensione të forta, ndërprerje dhe përplasje verbale mes politikanëve, duke sinjalizuar vështirësitë që pritet të shoqërojnë negociatat për formimin e qeverisë së re.
Presidenti Isaac Herzog, në fjalën e hapjes, u bëri thirrje forcave politike të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bëjnë kompromis për krijimin e një qeverie të re. Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës, Gadi Eisenkot, u zotua se do të punojë për formimin e kabinetit të ri sa më shpejt të jetë e mundur, duke zëvendësuar qeverinë në largim të Benjamin Netanyahut.
Gjatë fjalimit të tij në parlament, Netanyahu përsëriti thirrjen për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, por nuk kurseu akuzat ndaj partive arabe Raam dhe Listës së Përbashkët, duke i akuzuar se kërkojnë shkatërrimin e Izraelit. Ai paralajmëroi kundërshtarët politikë që të mos mbështeten te votat e tyre për formimin e një koalicioni.
בושה! אסור להקים ממשלה מסוכנת עם תומכי הטרור של רע״מ והמשותפת! https://t.co/WeFe49Dsfi
— Benjamin Netanyahu - בנימין נתניהו (@netanyahu) November 10, 2026
Netanyahu foli gjithashtu për kërcënimin iranian, duke deklaruar se regjimi i ajatollahëve po përpiqet të ringjallë programin e tij bërthamor dhe se rrëzimi i tij është, sipas tij, e vetmja mënyrë për të eliminuar përfundimisht këtë kërcënim.
Fjalimi shkaktoi reagime të ashpra nga opozita. Eisenkot e cilësoi atë si përçarës, plot urrejtje dhe të turpshëm, duke akuzuar Netanyahun se kishte shfrytëzuar ceremoninë zyrtare të inaugurimit të parlamentit për qëllime politike.
Ndërkohë, kreu i opozitës Naftali Bennett dhe deputetë të tjerë e ndërprenë vazhdimisht kryeministrin në largim, duke kërkuar përgjigje për lidhjet e dyshuara të bashkëpunëtorëve të tij me Katarin dhe refuzimin për ngritjen e një komisioni shtetëror hetimor për sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023.
“Po hetimi për ngjarjet e 7 tetorit? Po këshilltarët tuaj nga Katari? Pse nuk e shpallni Katarin shtet armik?”, bërtiti Bennett gjatë seancës.
Përplasjet vijuan edhe mes deputetëve të tjerë. Kreu i grupit parlamentar të Likud, Ofir Katz, iu përgjigj Bennettit duke përmendur deputetin arab Ahmed Tibi dhe kreun e Raam, Mansur Abbas.
Në shenjë proteste ndaj fjalimit të Netanyahut, kreu i Partisë Demokratike, Yair Golan, dhe deputetët e tij u larguan nga salla plenare, ndërsa deputeti Gilad Kariv dëgjua duke bërtitur: “Sa para morët nga Katari?”.
Tensione pati edhe gjatë ceremonisë së betimit, ku ministri në largim Itamar Ben Gvir u përplas verbalisht me deputetin arab Yousef Jabarin, duke e akuzuar për mbështetje të Hamasit.
Seanca e parë e Knessetit të ri nxori në pah ndasitë e thella politike në Izrael, ndërsa negociatat për krijimin e qeverisë së ardhshme pritet të përballen me sfida të shumta.

