Vihet nën kontroll zjarri i madh në Shkozet, flakët ende aktive! Dy zjarrfikës përfundojnë në spital nga asfiksia (EMRAT)

Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Durrës po vijojnë prej më shumë se tre orësh operacionin intensiv për shuarjen e zjarrit të rënë në një magazinë fishekzjarrësh e lodrash në zonën e Shkozetit.
Në operacion janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse, 4 autobotë, 1 autoshkallë dhe 24 punonjës të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH). Në mbështetje të operacionit janë angazhuar gjithashtu edhe forcat dhe mjetet e Portit të Durrësit, si edhe Stacioni i MZSH-së Shijak.
“Falë ndërhyrjes së shpejtë, profesionalizmit dhe koordinimit të të gjitha strukturave të angazhuara, zjarri është vënë nën kontroll. Aktualisht po vijon puna për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura dhe sigurimin e perimetrit”, thanë autoritetet vendore.
Gjatë operacionit, dy efektivë të shërbimit zjarrfikës, Nadir Kapaj dhe Maliq Gjyli, janë transportuar në spitalin rajonal Durrës për shkak të asfiksimit si pasojë e tymit dhe zjarrit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme.
Aktualisht nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme të flakëve. Shkaqet e zjarrit do të bëhen të ditura pas përfundimit të hetimeve nga autoritetet përgjegjëse.
“Bashkia Durrës u uron zjarrfikseve të lënduar shërim sa më të shpejtë dhe shpreh mirënjohjen për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij operacioni në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e institucionit vendor.


