Vrasja e Pjerin Xhuvanit, dalin sot para Gjykatës për masën e sigurisë 11 të arrestuarit

Gjykata e Elbasanit do të vlerësojë këtë të hënë, ora 9:00 masat e sigurisë "Arrest në burg" dhënë për 11 personat e përfshirë në përplasjen me armë në rrugën 5 Maj, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani nga Arbër Paplekaj shoqërues i Gazment Bardhit.
Prokuroria mori kohën maksimale për të dërguar kërkesat për vlerësim mase, të cilat do të zhvillohen në limite të 72 orëshit.
Në ngjarjen e rëndë mbetën të plagosur edhe katër persona, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë).
Në pranga është vënë Arbër Paplekaj, për vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Si dhe Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim.
Në kërkim për ngjarjen është edhe Kelment Xhaferri i akuzuar për vrasje në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë, ndërsa në pranga Eldjon Beko, i cili akuzohet se ka penguar zbardhjen e ngjarjes, duke tentuar të fsheh rrethana që implikonin Kelment Xhaferrin.
Mësohet se Prokuroria do të kërkojë vazhdimin e masës arrest në burg.
