Vota e diasporës, gara e hapur ende në 4 qarqe. “Luftë” për çdo zarf në Tiranë dhe Fier

Teksa në Parkun Olimpik ka rinisur procesi i numërimit të votave të Diasporës, nga përllogaritja mbi bazën e të dhënave zyrtare të KQZ-së, në katër qarqe ka ende mundësi matematikore për ndryshim të mandateve.
Qarku me diferencën më të vogël është Vlora, ku janë edhe 10 mijë vota për tu numëruar dhe PD-së i duhen 154 vota më shumë se PS-së për të rimarrë mandatin e katërt.
Në letter duket një shifër e vogël, por nga numërimi i 5700 votave të diasporës deri tani PD ka marrë 15% të tyre, ndërsa PS 60% dhe nëse ky trend do të vijojë, socialistët do ta ruajnë lehtësisht mandatin.
Qarku i dytë me më shumë mundësi për të lëvizur mandati është Fieri, ku Adriatik Lapajn i duhen 550 vota më shumë që ti marrë mandatin Partisë Socialiste. Në këtë qark janë ende pa u numëruar edhe 15400 vota.
Një luftë e fortë do të zhvillohet edhe në Tiranë mes PD-së dhe Partisë Mundësia të Agron Shehajt. Demokratëve u duhen 583 vota për të marrë mandatin e 14-të që e kishin deri dje në mesditë.
Ndërkohë që qarku i katërt i hapur, por me shumë pak mundësi për tu ndryshuar është Lezha ku kanë mbetur edhe 5 mijë vota pa u numëruar dhe PS-së i duhen 1302 vota më shumë se PD-së për ta përmbysur atë 4-3 në favor të saj.